Universiteti i Prishtinës lanson programin publik UP Talks — Serinë e ligjëratave të hapura

17 Qershor 2026
SHARE

Universiteti i Prishtinës ka kënaqësinë të prezantojë UP Talks, programin e ri publik të ligjëratave dhe bisedave, i cili nis për herë të parë si pjesë e përkushtimit të UP-së për t’u hapur më shumë ndaj shoqërisë dhe për të krijuar një hapësirë të re të dialogut publik, shkëmbimit të ideve dhe debatit intelektual.

UP Talks lind nga vizioni se universiteti nuk është vetëm vend i arsimit dhe kërkimit shkencor, por edhe hapësirë ku diskutohen çështjet që formësojnë shoqërinë, ku takohen perspektiva të ndryshme dhe ku publiku bëhet pjesë e bisedave të rëndësishme bashkëkohore.

Përmes kësaj serie, Universiteti i Prishtinës synon të sjellë në dialog akademikë, mendimtarë, vendimmarrës, profesionistë dhe personalitete të njohura nga Kosova, rajoni dhe bota, për të diskutuar tema që lidhen me të ardhmen tonë të përbashkët: demokracinë, integrimin evropian, gjeopolitikën, inteligjencën artificiale, transformimin energjetik, kulturën, shëndetin publik dhe zhvillimet që po ndryshojnë shoqëritë tona.

Programi UP Talks do të nisë me ligjëratën e hapur të prof. dr. Zanfina Ademi, profesoreshë e Ekonomisë së Shëndetit në Monash UniversityUniversity of Eastern Finland dhe Universitetin e Prishtinës, si dhe një ndër studiueset më të shquara të diasporës sonë akademike.

Ligjërata e parë do të trajtojë temën:

“Kush vendos për shëndetin tonë? Si ndikojnë politikat shëndetësore, ekonomia dhe mjedisi në shëndetin tonë”

UP Talks synon të kultivojë kulturën e mendimit kritik, të dialogut të hapur dhe të shkëmbimit të ideve, duke u ofruar studentëve, komunitetit akademik dhe publikut të gjerë mundësinë që të bëhen pjesë e diskutimeve me rëndësi për shoqërinë.

Ligjëratat e kësaj serie do të regjistrohen dhe arkivohen në webfaqen e Universitetit të Prishtinës dhe do të jenë të qasshme për publikun e gjerë, duke e zgjeruar më tej hapësirën e dijes, diskutimit dhe angazhimit publik.

Me UP Talks, Universiteti i Prishtinës hap një platformë të re publike ku dija takohet me shoqërinë, ku idetë bëhen pjesë e debatit dhe ku universiteti forcon rolin e tij si hapësirë e mendimit, pyetjeve dhe vizioneve për të ardhmen.

Kjo ligjëratë mbështetet nga Open Society Foundation dhe do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, më 24 qershor 2026, prej orës 18:00.

Mirë se vini në UP Talks!