Fillon punimet Konferenca e Dytë Studentore e Fakultetit të Mjekësisë

17 Qershor 2026
SHARE

Ka nisur sot dhe do të zhvillohet gjatë tërë ditës Konferenca e Dytë Studentore e Fakultetit të Mjekësisë gjatë së cilës do të prezantohen 94 punime shkencore të studentëve dhe profesorëve të UP-së dhe atyre ndërkombëtarë.

Konferenca ka për qëllim të promovojë ekselencën akademike dhe shkencore të Fakultetit të Mjekësisë dhe UP-së dhe bashkëpunimin studentor ndërkombëtar.

Në hapje të konferencës, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, prof. Sefedin Muçaj, këtë ngjarje shumë të rëndësishme e cilësoi investim në të ardhmen e sistemit shëndetësor të vendit. Sot është dita juaj, sot është dita e ideve tuaja, sot është dita e punës suaj, sot është dita e ambicieve tuaja, u tha dekani Muçaj studentëve.

Prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj, në fjalën e saj tha se sot në këtë konferencë jemi mbledhur rreth tri shtyllave të universitetit: shkencës, edukimit dhe shërbimit. Ajo deklaroi se profesionistët më të mirë nuk janë ata që mendojnë se i dinë të gjitha, por ata që vazhdimisht analizojnë punën e tyre. Prorektorja Gjelaj tha se Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar që të mbështesë zhvillimin e një kulture të cilësisë, integritetit akademik dhe kërkimit shkencor ku studentët janë partnerë aktivë në krijimin e dijes.

Duke iu drejtuar studentëve të Fakultetit të Mjekësisë që do të prezantojnë punime shkencore, prodekania për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, prof. Aurora Bakalli, tha se sot do të dëgjohet zëri juaj, zëri i shkencës. Ajo tregoi se për herë të parë sivjet konferenca ka karakter ndërkombëtar, ndërsa në të me punime shkencore marrin pjesë studentë të niveleve bachelor, master e të doktoratës.

Foli edhe kryetari i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë, Vion Bajramaj, që tha se konferenca po e trason rrugën drejt një procesi akademik të bazuar në shkencë. Ai shprehu bindjen se Fakulteti i Mjekësisë me studentët e tij elitarë do të jetë qendër e hulumtimit shkencor në Kosovë.

Konferenca në të cilën janë regjistruar 720 pjesë marrës është organizuar në katër sesione të ndryshme ku do të trajtohen probleme e çështje të ndryshme mjekësore e të shëndetit nëpërmjet prezantimeve me gojë të punimeve, posterëve dhe diskutimeve.