UP-ja vlerëson lart diasporën akademike në konferencën e Shtutgartit për identitetin, arsimin dhe diplomacinë publike

15 Qershor 2026
SHARE

Një delegacion nga Universiteti i Prishtinës i kryesuar nga prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbime akademike, prof. Rozafa Basha, ishte pjesë e paneleve të një konference për diasporën të zhvilluar në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Shtutgart.

 Në konferencën „Diaspora Shqiptare: Identiteti, Arsimi dhe Diplomacia Publike”, prorektorja Rozafa Basha dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës, prof. Bajram Berisha, prof. Bardh Rugova, prof. Mentor Hasani dhe asst. Oktaj Hasani, u përfshinë në prezantime dhe panele diskutimi mbi historinë e migrimit shqiptar, rolin e diasporës në ruajtjen e identitetit dhe shtetndërtimin e Kosovës, si dhe folën për histori suksesi të kthimit të dijes nga akademikë të diasporës në Kosovë.

Nga perspektiva e UP-së, prorektorja Rozafa Basha theksoi rëndësinë e qarkullimit të dijes dhe të mekanizmave tashmë të vendosur nga Universiteti i Prishtinës nëpërmjet Rregullores për Transferim, Programin „Brain Gain” dhe Rastet e Nevojës së Jashtëzakonshme për Rekrutimin e Personelit Akademik.

Këta mekanizma përfshijnë afilimin e akademikëve nga diaspora, mësimdhënien, mentorimin, bashkëpunimin kërkimor, mobilitetin dhe projektet e përbashkëta, me qëllim që diaspora akademike të bëhet partner i qëndrueshëm në zhvillimin akademik, shkencor dhe institucional të UP-së dhe të vendit.

Deri tash janë afiliuar edhe me UP-në tetë profesionistë e profesorë nga diaspora që punojnë në 400 universitetet më të njohura të globit. Ata kanë filluar edhe ligjëratat dhe projektet e përbashkëta me kolegët e tyre nga UP-ja.

Në konferencë, gjatë panelit me studentë të diasporës, Egzon Peci dhe Arsim Krasniqi ndanë përvojat e tyre nga UP-ja — njëri si student shkëmbyes për një semestër në Fakultetin e Arkitekturës, ndërsa tjetri si pjesëmarrës ndër vite në Universitetin Veror të Prishtinës.

Konferenca u organizua nga Departamenti i Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, GIZ-i dhe Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Shtutgart.