Në një vizitë në Universitetin e Prishtinës të ambasadorit të Republikës së Bullgarisë në Kosovë, shkëlqesisë së tij, z. Hristo Kraevski u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit mes UP-së dhe universiteteve bullgare.
Ambasadori Kraevski mori informata të hollësishme për të kaluarën, arritjet aktuale dhe planet e së ardhmes së UP-së, universitetit më të madh, më të vjetër dhe më të suksesshëm të Kosovës dhe të renditurit më së larti në platformat e njohura ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe në Ballkanin Perëndimor dhe në botë.
Në takim u hulumtuan bashkëpunimet e mundshme mes komuniteteve akademike e intelektuale të Bullgarisë dhe Kosovës. Ambasadori bullgar tregoi se profesori i njohur nga ky shtet, Christo Pimpirev, në shtator do të mbajë një ligjëratë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa shprehu bindjen se në të ardhmen do të ketë shumë nisma që do të lidhin shkencëtarët e rinj dhe universitetet e dy vendeve.
Ambasadori bullgar Kraevski u prit nga rektori, prof. Arben Hajrullahu, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbime akademike, prof. Rozafa Basha dhe prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime, prof. Adem Beha, ndërsa erdhi i shoqëruar nga zëvendësshefi i misionit, Blagoy Petrov, ministri fuqiplotë në Ambasadë, z. Dimitar Manchev dhe profesori Raqi Bello, mësimdhënës i gjuhës bullgare në Universitetin e Prishtinës.
Ambasadori Kraevski ia ndau rektorit Hajrullahu një mirënjohje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Bullgarisë për angazhimin personal në përfshirjen e gjuhës bullgare në Qendrën e Gjuhëve të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Për këtë qëllim, Ambasada e Bullgarisë në Kosovë angazhoi një mësimdhënës të gjuhës bullgare në Programin e Ballkanistikës.
Rektori Hajrullahu tha se gjuhët dhe universitetet duhet të luajnë rolin kryesor për ta kuptuar më mirë njëri-tjetrin dhe për t’i afruar popujt mes vete. Universiteti i Prishtinës bashkëpunon me universitetet bullgare dhe në kuadër të projekteve evropiane Erasmus+ e Horizon.