Divizioni për Zhvillim Akademik, Cilësi, Monitorim dhe Karrierë në Universitetin e Prishtinës, organizoi punëtorinë dyditore me temë „Nga Siguria te Ndikimi: Kërcënimet Bashkëkohore dhe Lidershipi Qytetar në Praktikë”, e cila u mbajt më 3 dhe 4 qershor 2026 në ambientet e Qendrës për Zhvillim të Karrierës.
Aktiviteti u konceptua për të fuqizuar studentët me njohuri dhe aftësi praktike në fushat e studimeve të sigurisë, politikave publike, avokimit, komunikimit strategjik dhe lidershipit qytetar. Punëtoria ndërthuri qasjen teorike me diskutime praktike, duke u ofruar pjesëmarrësve mundësinë të analizojnë sfidat bashkëkohore të sigurisë dhe të kuptojnë rolin e angazhimit qytetar në proceset demokratike dhe institucionale.
Gjatë dy ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me zhvillimin e studimeve bashkëkohore të sigurisë, qasjet kryesore teorike, si dhe kërcënimet tradicionale dhe jotradicionale që ndikojnë në shoqëritë moderne. Përmes studimeve të rasteve, diskutimeve analitike dhe reflektimeve të strukturuara, studentët patën mundësinë të zhvillojnë mendimin kritik dhe të lidhin njohuritë akademike me kontekste reale.
Punëtoria u udhëhoq nga Arbër Gorani dhe Artan Canhasi, profesionistë me përvojë në fushat e qeverisjes demokratike, politikave publike, zhvillimit institucional dhe angazhimit qytetar.
Arbër Gorani trajtoi dimensionin teorik dhe praktik të studimeve të sigurisë, duke analizuar evolucionin e konceptit të sigurisë dhe sfidat aktuale që ndikojnë në stabilitetin politik dhe shoqëror. Ai theksoi rëndësinë e mendimit kritik dhe analizës së bazuar në evidencë për të kuptuar dhe adresuar kërcënimet bashkëkohore.
Ndërkaq, Artan Canhasi u fokusua në aftësitë praktike për lidership qytetar, avokim dhe komunikim strategjik. Përmes diskutimeve dhe ushtrimeve praktike, ai prezantoi mekanizma konkretë për ndikim efektiv në proceset vendimmarrëse dhe rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në jetën publike.
„Sfidat bashkëkohore të sigurisë kërkojnë jo vetëm njohuri teorike, por edhe aftësi për analizë kritike dhe interpretim të proceseve që ndikojnë në shoqëri. Sipas tij, siguria nuk është vetëm çështje institucionesh, por edhe e qytetarëve të informuar dhe të angazhuar, theksoi Arbër Gorani.
Artan Canhasi vlerësoi se ndikimi qytetar fillon me vetëdijen se secili individ ka potencialin të kontribuojë për përmirësimin e komunitetit dhe institucioneve. Ai theksoi se punëtoria synoi t’u ofrojë studentëve njohuri mbi proceset e politikëbërjes dhe mjete konkrete për avokim, komunikim strategjik dhe angazhim publik.
Edhe studentët pjesëmarrës treguan përfitimet nga trajnimi. Shkëlqim Hyseni, student në Fakultetin Ekonomik, programi Marketing, studime master, viti i parë, konstatoi se punëtoria i ndihmoi të kuptojë më mirë rëndësinë e komunikimit strategjik dhe avokimit, jo vetëm në sektorin publik, por edhe në fushën e marketingut dhe menaxhimit.
Ndërsa Diarta Huruglica, studente në Fakultetin Filozofik, programi Sociologji, studime master, viti i dytë, vlerësoi qasjen ndërdisiplinore të aktivitetit dhe mundësinë për të diskutuar lidhjen ndërmjet sigurisë, pjesëmarrjes qytetare dhe proceseve shoqërore.
Në punëtori morën pjesë gjashtëmbëdhjetë studentë nga njësi të ndryshme akademike të Universitetit të Prishtinës, të cilët kontribuuan aktivisht në diskutime, ushtrime praktike dhe aktivitete bashkëpunuese. Nëpërmjet kësaj përvoje, ata zhvilluan kompetenca për analizën e politikave, komunikimin publik, mendimin kritik dhe pjesëmarrjen qytetare.
Në kuadër të aktiviteteve të punëtorisë, studentët zhvilluan edhe një produkt konkret në formën e një udhërrëfyesi të strukturuar me titull „Nga Student në Profesionist: Një Udhërrëfyes Drejt Ndërtimit të Identitetit Profesional” [shkarko posterin këtu]. Ky material përmbledh koncepte kyçe mbi sfidat bashkëkohore të sigurisë, mendimin kritik, lidershipin qytetar, komunikimin efektiv dhe angazhimin aktiv në komunitet, duke i udhëzuar studentët nga njohuria dhe analiza drejt veprimit dhe ndikimit pozitiv në shoqëri.
Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje, ndërsa punëtoria u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve.
Me anë të organizimit të aktiviteteve të tilla, Qendra për Zhvillim të Karrierës vazhdon të mbështesë krijimin e mundësive të reja për mësim, reflektim dhe zhvillim profesional, duke ndërlidhur njohuritë akademike me sfidat reale shoqërore dhe institucionale.