„Scena Juvenis” — një mbrëmje kushtuar talenteve të reja të Universitetit të Prishtinës në ChopinPianoFEST Prishtina

05 Qershor 2026
SHARE

Në kuadër të edicionit të 16-të të ChopinPianoFEST Prishtina u mbajt koncerti tradicional „Scena Juvenis”, një mbrëmje e veçantë artistike që solli para publikut studentë dhe alumni të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Ky koncert dëshmoi rolin e rëndësishëm që Universiteti i Prishtinës ka në formimin e gjeneratave të reja të muzikantëve dhe artistëve, duke prezantuar talentet që përfaqësojnë të tashmen dhe të ardhmen e jetës muzikore në Kosovë. Nëpërmjet interpretimeve solistike dhe të muzikës së dhomës, pjesëmarrësit shpalosën nivelin e tyre artistik, profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj artit muzikor.

„Scena Juvenis” është një nga aktivitetet më domethënëse të festivalit, pasi krijon një urë lidhëse ndërmjet arsimit të lartë artistik dhe jetës profesionale koncertale. Duke performuar në një festival ndërkombëtar përkrah artistëve të njohur nga vendi dhe bota, studentët dhe të diplomuarit e Fakultetit të Arteve fitojnë një hapësirë të çmuar për promovimin e punës së tyre artistike dhe për komunikim të drejtpërdrejtë me publikun.

Ky bashkëpunim ndërmjet ChopinPianoFEST Prishtina dhe Universitetit të Prishtinës pasqyron një vizion të përbashkët për mbështetjen e artistëve të rinj dhe për fuqizimin e rolit të institucioneve të arsimit të lartë në zhvillimin kulturor të vendit. Shumë nga emrat që sot kontribuojnë në skenën muzikore dhe kulturore të Kosovës kanë nisur rrugëtimin e tyre pikërisht në auditorët dhe sallat e Fakultetit të Arteve, duke dëshmuar rëndësinë e investimit në edukimin artistik.

Pritja e ngrohtë dhe duartrokitjet e publikut dëshmuan vlerësimin për përkushtimin dhe talentin e interpretuesve të rinj. Me anë të aktiviteteve si „Scena Juvenis”, ChopinPianoFEST Prishtina vazhdon të promovojë ekselencën artistike, të mbështesë gjeneratat e reja të muzikantëve dhe të forcojë lidhjen ndërmjet arsimit, kulturës dhe shoqërisë.