Universiteti i Prishtinës nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) për bashkëpunim ndërinstitucional dhe krijim të një ekosistemi të inovacionit.
UP-ja dhe ministria, sipas memorandumit, do të angazhohen për zhvillimin e programeve të përbashkëta në fushat e inovacionit, transformimit digjital dhe transferit të teknologjisë mes akademisë dhe industrisë.
Universiteti i Prishtinës me ekspertizën profesionale të personelit akademik dhe punën praktike të studentëve, do t’i ndihmojë ministrisë për projektet zhvillimore. Të dy palët do të përkrahin bizneset në fillimet e tyre, ndërmarrjet e vogla dhe nismat me potencial kreativ.
Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila.
Rektori Hajrullahu u zotua që dija e krijuar në Universitetin e Prishtinës do të jetë në shërbim të projekteve të institucioneve lokale dhe qendrore të vendit.
Ministrja Kusari-Lila tha se institucionit që drejton i duhet sa më parë fillimi i bashkëpunimit aktiv me Universitetin e Prishtinës dhe disa njësi të tij akademike në mënyrë që projektet publike të kenë më shumë cilësi.
Universiteti i Prishtinës gjatë këtij viti ka nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës për të qenë në shërbim të së mirës publike.