Mbahet mbledhja konstituive e Këshillit të Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie (QPM) në Universitetin e Prishtinës

28 Maj 2026
SHARE

Këshilli i Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie (QPM) zhvilloi mbledhjen e tij të parë konstituive në Universitetin e Prishtinës. Gjatë takimit u diskutua harmonizimi i Rregullores së QPM-së me Rregulloren për Parimet e Punës dhe Funksionimit të Instituteve dhe Qendrave në Universitetin e Prishtinës si dhe planifikimet për të ardhmen e kësaj qendre me rëndësi të veçantë për universitetin.

Në përputhje me dispozitat e kësaj rregulloreje, Këshilli i QPM-së përbëhet nga tre anëtarë të personelit akademik të Universitetit të Prishtinës: prof. Blerim Saqipi nga Fakulteti i Edukimit, prof. Seniha Krasniqi nga Fakulteti i Filologjisë dhe prof. Avdulla Alija nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore. Pjesë e Këshillit janë gjithashtu edhe dy anëtarë të jashtëm: z. Shkëlzen Gërxhaliu nga Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe z. Selim Mehmeti, hulumtues në Institutin Pedagogjik të Kosovës.

Në këtë mbledhje, kryesues i Këshillit u zgjodh prof. Blerim Saqipi, dekan i Fakultetit të Edukimit, ndërsa detyrën e koordinatores së QPM-së do të vazhdojë ta ushtrojë prof. Blerta Mustafa.

Gjatë diskutimeve u theksua se synimi kryesor i QPM-së për periudhën e ardhshme është fuqizimi i mëtejmë i rolit të kësaj qendre tashmë të konsoliduar, në funksion të realizimit të objektivit strategjik të Universitetit të Prishtinës — ekselencës në mësimdhënie. Në këtë drejtim, QPM-ja do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin profesional të vazhdueshëm të personelit akademik, brenda dhe jashtë universitetit, të zgjerojë ofertën e trajnimeve për zhvillimin e shkathtësive digjitale në mësimdhënie, si dhe të përcjellë trendët bashkëkohorë në arsimin e lartë dhe inovacionet në procesin mësimor.