Universiteti i Prishtinës dhe Organizata e Alumnit Kosovar-Austriak në të ardhmen do të kenë bashkëpunim më të fuqishëm dhe të institucionalizuar, nëpërmjet një memorandumi që u nënshkrua sot.
Memorandumi synon forcimin e lidhjeve akademike, shkencore dhe kulturore midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë. Palët nënshkruese do të zhvillojnë aktivitete të përbashkëta, ku do të promovohen projekte bashkëpunuese, shkëmbime akademike dhe nisma që nxisin inovacionin, ndërkombëtarizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të arsimit të lartë.
Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe kryetari i Bordit të Organizatës së Alumnit Kosovar-Austriak, z. Jeton Mehmeti.
Rektori Hajrullahu tha se Austria historikisht dhe numerikisht ka ndihmuar më shumë se të gjithë të tjerët Universitetin e Prishtinës. Kryetari Mehmeti deklaroi se memorandumi përbën një hap të madh institucional dhe një arritje shumë domethënëse për Organizatën e Alumnit Kosovar-Austriak.
OKAA-ja, e mbështetur nga Programi austriak ShER dhe Ambasada e Austrisë në Kosovë, është themeluar në vitin 2021 dhe aktualisht ka të regjistruar 75 anëtarë që kanë diplomuar ose kryer kërkime shkencore në universitetet austriake, ndërsa janë pjesë e arsimit të lartë, institucioneve publike, shoqërisë civile, mediave dhe sektorit privat.
Shumë profesorë dhe drejtues të të gjitha niveleve të Universitetit të Prishtinës janë të formuar në Austri, pasi bashkëpunimi i UP-së me universitete dhe organizata austriake është i shkëlqyeshëm.