Në edicionin e nëntë të konferencës së Shtyllës për Shkencë, Arsim, Kërkim e Inovacion të Procesit të Berlinit u kërkuan rrugë dhe mundësi për përparimin e kërkimit shkencor në një kohë kur kjo veprimtari që e ka zhvilluar vazhdimisht njerëzimin po përballet me presione dhe sfida.
Drejtues të institucioneve të arsimit të lartë dhe përfaqësues të jetës akademike e shkencore nga shtetet e BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Britanisë së Madhe u bënë bashkë e diskutuan në Ljubljanë, Slloveni, për autonominë e institucioneve shkencore e universitare dhe rolin e shkencës në rritjen e njohurive, mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu në konferencë u fol edhe për ndikimin e shkencës dhe universiteteve në sigurinë e vendeve që pretendojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, në një kohë kur siguria po sfidohet dukshëm nga lufta në Ukrainë, konfliktet tjera dhe regjimet (me prirje-) autoritare.
Një debat i rëndësishëm gjatë konferencës iu kushtua edhe ndihmës së madhe që shkenca duhet t’i japë demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor e përtej, ku këto dy elemente shumë të rëndësishme të funksionimit të shteteve e shoqërive shpesh vihen në rrezik.
Në konferencë, Universitetin e Prishtinës e përfaqësoi rektori, prof. Arben Hajrullahu bashkë me profesorin e Fakultetit Juridik dhe ish-rektorin, prof. Qerim Qerimi. Nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pjesëmarrës ishin sekretarët shkencorë prof. Muzafere Limani dhe prof. Fetah Podvorica.
Në kuadër të konferencës, pjesëmarrësit do të dalin edhe këtë radhë me një deklaratë të përbashkët, në të cilën do të përfshihen përfundimet dhe rekomandimet nga diskutimet gjegjëse për samitin e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit.
Nën moderimin e përfaqesueses nga akademia britanike (The Royal Society), prof. Alison Noble, në sesion përmbyllës rektori Hajrullahu paraqiti mesazhet dhe rekomandimet kryesore të konferencës para kryetares së Përfaqësisë së Komisionit Evropian si dhe ambasadores së Mbretërisë së Bashkuar e asaj të Gjermanisë në Slloveni, shkëlqësive Jerneja Jug Jerše, Victoria Harrison dhe Sylvia Groneick, duke theksuar nevojën për:
- Financim të qëndrueshëm e arsyeshëm të universiteteve si parakushte për liri dhe autonomi akademike;
- Forcim të vlerave të përbashkëta demokratike në kohën e ballafaqimeve me lajme sistematike të rreme e luftra hibride;
- Promovim edhe më të fuqishëm të mendimit kritik dhe mendimit racional në universitete e institucione akademike; si dhe
- Nevojë për intelektualë të angazhuar dhe të gatshëm që të sfidojnë fenomenet dhe praktikat jo të mira që shpërfaqen në institucione akademike, ato publike e në shoqëri në përgjithësi.
Për më shumë, rektori Hajrullahu e përmbylli paraqitjen e tij me mesazhin kyç që në kohën e sfidave të mëdha globale „ne në Evropë, e posaçërisht në pjesën e Evropës që ende ndodhet jashtë Bashkimit Evropian, jemi shumë të varfër, të vegjël e të pafuqishëm për të vazhduar tutje pa qenë të përbashkuar rreth vlerave të përbashkëta të shtetit ligjor e atyre demokratike të bazuara në qeverisje të mirë”.
Këtë radhë Mbretëria e Bashkuar do të presë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Procesit të Berlinit më 22 tetor 2025.
Rektori Hajrullahu edhe vitin e kaluar mori pjesë në Konferencën e Shtyllës për Shkencë, Arsim, Kërkim e Inovacion të Procesit të Berlinit që u zhvillua nën moton „Guximi për të Ardhmen”. Ai atëherë foli edhe para deputetëve të Komitetit për Arsim, Kërkime Shkencore dhe Teknologji të Bundestagut Gjerman.