Takim me përfaqësuesit e programit ShER, hapet rruga për programin e përbashkët të doktoratës ndërmjet Fakultetit të Arkitekturës dhe Universitetit Teknik të Vjenës

13 Qershor 2025
SHARE

Disa ditë pasi Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës u shpall fitues i grantit nga programi ShER për mbështetjen e krijimit të programit të përbashkët të doktoratës me titull “Arkitektura e qëndrueshme dhe planifikimit hapësinor”, u zhvillua takimi i parë ndërmjet përfaqësuesve të ShER-it, Rektoratit dhe Fakultetit të Arkitekturës.

Përfaqësuesit e programit ShER, z. Aqim Emurlli, z. Nehat Dervishi dhe znj. Donjeta Ibra, u priten në Rektoratin e UP-së nga prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari, si dhe koordinatoret e projektit: dekania e Fakultetit të Arkitekturës, prof. Violeta Nushi dhe profesoresha në këtë fakultet Arta Basha-Jakupi.

Përfaqësuesit e UP-së u shprehën mirënjohjës ndaj ekipit të programit ShER për mbështetjen dhe përzgjedhjen e këtij programi, i cili, si një iniciativë ndërdisiplinore në bashkëpunim me Universitetin Teknik të Vjenës, i përgjigjet drejtpërdrejt nevojave zhvillimore të vendit dhe përputhet me objektivat strategjike të Universitetit të Prishtinës.

Z. Emurlli theksoi se programet e përbashkëta përfaqësojnë të ardhmen e arsimit të lartë dhe falënderoi kolegët nga Universiteti i Prishtinës për përkushtimin dhe bashkëpunimin në realizimin e kësaj nisme.

Programi do të zhvillohet nga Fakulteti i Arkitekturës, në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit të Universitetit Teknik të Vjenës. Në fazën e parë të projektit do të dizajnohet kurrikula dhe do të përgatitet dokumentacioni për akreditim. Në fazën e dytë, nëse sigurohet mbështetja për zbatim, programi do të përfshijë edhe shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve.

Për realizimin e këtij procesi, në Fakultetin e Arkitekturës është krijuar një grup punues prej nëntë anëtarësh, të cilët tashmë kanë nisur punën në hartimin e programit.