Universiteti i Prishtinës vazhdon të zgjerojë partneritetet në arenën akademike ndërkombëtare. Gjatë vizitës intensive dyditore në Hungari nga rektori Arben Hajrullahu dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik Rozafa Basha, u nënshkruan gjashtë marrëveshje bashkëpunimi me disa nga universitetet më të rëndësishme të këtij vendi.
Marrëveshje të bashkëpunimit janë nënshkruar me institucionet vijuese:
· Universiteti Corvinus i Budapestit
· Universiteti Óbuda
· Universiteti Ludovika për Shërbim Publik
· Universiteti Eötvös Loránd (ELTE)
· Universiteti Andrássy i Budapestit
· Universiteti Hungarez i Arteve të Bukura
Gjatë vizitës, u zhvillua edhe një takim me Universitetin Hungarez të Bujqësisë dhe Shkencave të Jetës (MATE), një partner shumëvjeçar i UP-së. Të dyja palët shprehën gatishmëri për të ripërtërirë memorandumin e mirëkuptimit në javët në vijim, duke e thelluar më tej bashkëpunimin ekzistues.
Kjo agjendë intensive vjen menjëherë pas suksesit të fundit të UP-së në renditjen ndërkombëtare Times Higher Education (THE) 2025 dhe përbën dëshmi të qartë se ndërkombëtarizimi nuk është më vetëm një synim strategjik, por një realitet.
Rritja e numrit të studentëve nga Kosova që ndjekin studime në Hungari, falë bursave evropiane dhe atyre hungareze, si dhe zgjerimi i shkëmbimeve akademike me institucionet hungareze, po ndërton ura të qëndrueshme dhe afatgjata bashkëpunimi.
Rektori dhe prorektorja shprehën mirënjohje të thellë për mbështetjen e pakursyer të stafit diplomatik të Republikës së Kosovës në Hungari – në veçanti ambasadorit sh.t. z. Delfin Pllana dhe zëvëndësshefes së misionit të kësaj Ambasade, znj. Albana Bylykbashi, për rolin e tyre kyç në ndërmjetësimin dhe organizimin profesional dhe të shkëlqyer të kësaj vizite.
Universiteti i Prishtinës po ecën me hapa të sigurt drejt një profili gjithnjë e më të fuqishëm ndërkombëtar – një arritjeje që i përket tërë komunitetit akademik dhe pasqyron përkushtimin tonë të palëkundur ndaj cilësisë, bashkëpunimit dhe vizionit global.