Mbledhja e Senatit: Miratohen rregulloret për kthimin e trurit dhe procedurat e avancimit të personelit të UP-së

01 Maj 2025
SHARE

Në mbledhjen e katërmbëdhjetë të Senatit të Universitetit të Prishtinës, të mbajtur të mërkurën, më 30 prill 2025, janë miratuar disa nga rregulloret kryesore që do të vendosin rregulla të qarta për avancimet e personelit dhe rekrutimin e diasporës akademike.

Me disa plotësime të dakorduara të versionit të fundit, senatorët njëzëri miratuan Rregulloren për transferim, programin „Brain Gain” dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, që synon sjelljen në UP të kuadrove të talentuar dhe ndërkombëtarisht konkurrues me ndonjë shkallë shkollimi të kryer në 400 universitetet më të mira në botë.

Pas diskutimeve, precizimeve dhe sqarimeve të nevojshme nga komisioni hartues, me të gjitha votat për, u miratua edhe Rregullorja për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, avancimin dhe rizgjedhjen e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës. Njësoj u votua edhe rregullorja e veçantë e Fakultetit të Arteve për të njëjtën çështje.

Këto tri rregullore kanë për qëllim standarde të larta për avancimet në UP dhe rekrutimin e personelit cilësor, në mënyrë që të ngrihet në vazhdimësi niveli i mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në universitetin numër një të vendit e përtej.Të tri rregulloret e aprovuara sot, janë në harmoni me Statutin e Universitetit të Prishtinës që hyri në fuqi në korrik të vitit 2024.

Në mbledhjen e Senatit për shkak të disa ndryshimeve e plotësimeve, u shtynë për t’u shqyrtuar dhe votuar në mbledhjen e muajit maj, Rregullorja për punën dhe procedurat në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës, Kodi etik për personelin akademik të këtij universiteti dhe shpallja e konkursit për bashkëpunëtorë të jashtëm vendasë e ndërkombëtarë të UP-së, bashkë me vazhdimin e angazhimit të bashkëpunëtorëve aktualë.

Senati, gjithashtu, aprovoi hapjen e konkursit për studentë ndërkombëtarë në programet e përbashkëta të Fakultetit Juridik dhe atë të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe ratifikoi një temë doktorate e miratoi një temë tjetër të këtij niveli të studimeve dhe mentorin e saj.