Profesori amerikan: Mund të kemi sukses nëse ndihmojmë njëri-tjetrin

11 Prill 2025
SHARE

Profesori dhe ish-dekani i Kolegjit të Farmacisë në Universitetin e Iowas, Donald E. Letendre, gjatë një takimi me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se mund të kemi sukses nëse punojmë së bashku dhe ndihmojmë njëri-tjetrin.

Duke pasur përvojë të gjatë në fushën e barnave dhe kontrollimit të tyre, profesori Letendre tha se të gjithë ata që merren me shëndetësi në Kosovë, duhet ta kenë qëllim kryesor përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve të këtij vendi.

Rektori Arben Hajrullahu, teksa e falënderoi profesorin amerikan për vullnetin dhe dëshirën që dijen dhe ndihmën e tij ta bart te kolegët nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës, tha se gjatë tërë mandatit të tij do të angazhohet për ta krijuar një sistem të bazuar në meritokraci, transparencë, llogaridhënie dhe punësim të më të mirëve.

Rektori gjithashtu përmendi edhe të shkolluarit e diasporës kosovare nëpër vende të ndryshme të botës, si një potencial të madh në përpjekjet e vazhdueshme për kthimin e trurit.

Në takimin mes profesorit Letendre dhe rektorit Hajrullahu, morën pjesë edhe profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë — Dega e Farmacisë, Pranvera Breznica-Selmani dhe drejtori i Zyrës për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuara, Fitim Seferi.

Universiteti i Prishtinës zhvillon partneritet të fuqishëm me Universitetin e Iowas, ndërsa vitin e kaluar me ndihmën e profesorit Donald E. Letendre është themeluar Instituti i Farmacisë, me qëllimin e rritjes së mëtejshme të kapacitetit kërkimor e profesional të UP-së dhe zhvillimin e sektorit farmaceutik në Kosovë.