Lukas Mandl në Universitetin e Prishtinës: Me miq të tillë tejkalohen të gjitha vështirësitë

28 Mars 2025
SHARE

Eurodeputeti austriak në Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, u prit sot në një takim shumë të përzemërt nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu dhe bashkëpunëtorët e tij.

Rektori Hajrullahu, pasi ia shpjegoi mysafirit të tij të nderuar sukseset, rezultatet dhe punën që bëhet në Universitetin e Prishtinës, e falënderoi eurodeputetin Mandl për fjalimet për Kosovën, duke e vlerësuar atë si njërin nga përkrahësit e mëdhenj të projektit të Evropës së Bashkuar. Sipas rektorit Hajrullahu, „universiteti duhet të luajë rol kyç për ta bërë të mundur që një ditë të kemi një Evropë të Bashkuar. Pa shkencë dhe arsim as ne në Kosovë nuk mund të arrijmë atje ku synojmë, në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Eurodeputeti Mandl, nga Universiteti i Prishtinës, porositi të gjithë kosovarët të krijojnë miqësi edhe jashtë vendit.

„Përditë mund të ndërtoni miqësi dhe aleanca, por kjo nuk varet vetëm nga qeveria. Çdo njeri, pavarësisht nga qëndrimet politike, duhet të punojë për të forcuar miqësitë në të gjithë botën. Kosova është një vend i vogël, edhe Austria është një vend i vogël dhe ne e dimë se kemi nevojë për këto miqësi”, tha deputeti austriak në Parlamentin Evropian.

Ai falënderoi rektorin Hajrullahu dhe Universitetin e Prishtinës që me dijen që ofron po i ndalë njerëzit e Kosovës për të mos ikur jashtë vendit. „Arsimi bazë, por edhe ai akademik kanë vlerë të jashtëzakonshme. Faleminderit, faleminderit, faleminderit që i mbani njerëzit këtu dhe u jepni atyre mundësinë të shfaqin perspektivat e tyre”, deklaroi Mandl. 

Në takim morën pjesë edhe prorektorët Albana Berisha-Qehaja, Avni Hajdari, Majlinda Gjelaj, Naim Jerliu dhe Rozafa Basha, sekretari i përgjithshëm i UP-së, Besnik Loxha, shefja e Zyrës Ligjore Saranda Leka dhe Rina Mehana, këshilltarja ligjore e rektorit Hajrullahu.

Pas takimit, Mandl, në Sallën e Senatit të UP-së, zhvilloi një ligjëratë dhe diskutim me të pranishmit për integrimin evropian të Kosovës — sfidat dhe perspektivën.

Lukas Mandl, që është anëtar i Grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, në vitin 2021 publikoi librin „Kosova dhe BE-ja — Gjendja aktuale”, në të cilin qëndrimet e tyre i shfaqën një numër i madh i personaliteteve evropiane dhe kosovare të fushave të ndryshme. Libri atëherë u botua në katër gjuhë: Shqip, serbisht, anglisht e gjermanisht.

Në përvjetorin e 17 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Presidentja Osmani e nderoi eurodeputetin Lukas Mandl, me „Medaljen Presidenciale të Meritave”. Mandl  është edhe njëri nga themeluesit e Shoqatës së Miqësisë Kosovë — Austri.