Profesoresha e Universitetit të Prishtinës merr çmim në ShBA për të drejta të njeriut

25 Mars 2025
SHARE

Profesoresha e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Remzije Istrefi - Peci është fituese e çmimit të vitit 2024 për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në nivel global.

Çmimi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut jepet nga Samiti Global mbi Kushtetutshmërinë që organizohet nga Universiteti i Teksasit, i vendosur në Austin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Profesoresha dhe mbrojtësja e Kushtetutës së Kosovës Remzije Istrefi - Peci, çmimin e mori gjatë Samitit Global mbi Kushtetutshmërinë që u zhvillua nga 20 deri më 22 mars 2025.

„Ky çmim është i rëndësisë së veçantë për vendin tonë, Gjykatën Kushtetuese të Republikës sonë dhe Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Juridik ku unë zhvilloj aktivitetet e mia, si gjyqtare dhe si profesoreshë e të Drejtës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, tha Remzije Istrefi - Peci.

Samiti Global, me çmimin e të cilit u nderua profesoresha e Universitetit të Prishtinës, është një konferencë ndërkombëtare që mbulon të gjitha fushat e kushtetutshmërisë. Gjatë tri ditëve sa zgjat konferenca, mbahen ligjërata dhe panele të ndryshme diskutimi.

Gjithashtu, gjatë qëndrimit të Nju Jork, profesoresha, respektivisht gjyqtarja Remzije Istrefi - Peci do të mbajë ligjëratë në Institutin Harriman të Universitetit të Kolumbias, me temën: „Zbatimi i Konventës së Stambollit Përmes Praktikës Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Konventa e Stambollit, e miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, parandalon dhe lufton dhunën ndaj grave dhe në familje.

Remzije Istrefi-Peci ligjëron në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës që nga viti 2008, ndërsa është emëruar gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës më 9 gusht 2018.