Rektori i Universitetit të Napolit, Roberto Tottoli dhe profesoresha e këtij universiteti, Francesca Bellino, do të ligjërojnë para studentëve e profesorëve të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, për tema që lidhen me enciklopeditë, fetë dhe profetët.
Roberto Tottoli, rektori i Universitetit të Napolit „L’Orientale”, të enjten, më 13 mars 2025, do të mbajë një ligjëratë për librin e Pjetër Bogdanit „Çeta e profetëve”. Ligjërata pritet të zhvillohet në sallën „Idriz Ajeti” , duke filluar në orën 11:00.
Rektori Tottoli që është anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave dhe studimet themelore për Gjuhë dhe letërsi orientale, i përfundoi në Universitetin Ca' Foscari në Venecia, ndërsa doktoroi në universitetin që tash drejton, do të flasë edhe për studimin e islamit dhe Kuranit në Evropë, pasi nga viti 2019 udhëheq projektin „Kurani evropian”.
Ky projekt gjashtëvjeçar, në të cilin përveç Universitetit të Napolit janë përfshirë edhe Këshilli Kombëtar Spanjoll i Kërkimeve, Universiteti i Kopenhagës dhe Universiteti i Nantit, synon ta zbulojë se sa ka ndikuar libri i shenjtë islam kulturën dhe religjionin në Evropë.
Kolegia e tij Francesca Bellino, që është profesoreshë e Gjuhës dhe letërsisë arabe në Universitetin e Napolit, do të ligjërojë në lidhje me veprimtaritë enciklopedike arabe gjatë periudhës osmane.
Të dy ligjëratat, që gjithashtu janë të hapura për publikun, do të udhëhiqen nga profesori Rexhep Ismajli, kurse organizohen në pajtim me marrëveshjen që Universiteti i Prishtinës e ka me Universitetin e Napolit „L'Orientale".