55 vjetori i UP-së: Mbajtja gjallë e ëndrrës për liri dhe dije

15 Shkurt 2025
SHARE

Në ceremoninë qendrore të festimit të 55 vjetorit të Universitetit të Prishtinës, u tha se ky institucion e mbajti gjallë ëndrrën për liri dhe arriti të mbijetojë edhe si vend i dijes. 

55 vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës bëri bashkë njerëz të botës akademike e shkencore, zyrtarë qeveritarë, diplomatë e politikanë. 

Në fjalën e tij para të pranishmëve, rektori Arben Hajrullahu tregoi se pse UP-ja është institucion madhor i arsimit të lartë në Kosovë e jashtë saj. Tha se hallkë e domosdoshme e suksesit janë studentët e ish-studentët, profesorët e ish-profesorët bashkë me partnerët. 

Me vizion dhe përkushtim, së bashku mund ta forcojmë Universitetin e Prishtinës, që ai të jetë motor i zhvillimit, tregoi rrugën përpara rektori. 

Tonin Gjuraj, nënkryetari i Konferencës së Rektorëve të Shqipërisë dhe rektori i Universitetit të Shkodrës „Luigj Gurakuqi”, u ndal në fillim te historia, kur tha se Kosova për ne si komb një kohë të gjatë ka qenë dhimbje dhe brengë. 

Ai pastaj bëri thirrje që të dy universitetet, i Shkodrës dhe i Prishtinës, të jenë promovues të fuqishëm kundër barrierave mes Kosovës e Shqipërisë, me qëllimin që të krijohet një treg i përbashkët i edukimit.  

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, tha se UP-ja në mbi 50 vjet ka pasur sfida, beteja, rezultate e fitore, ndërsa kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, tha se universiteti i ndihmoi Kosovës kur i duhej besimi në potencialin e vet të iluminizmit dhe qytetarisë. 

Sipas Krajës, Universiteti i Prishtinës i duhet ende Kosovës së idealeve, Kosovës së ëndrrave, ndërsa duhet t’i kthehet mendimit kritik. 

Në 55 vjetorin e themelimit, video-mesazhe Universitetit të Prishtinës i erdhën nga dy universitete partnere nga Luksemburgu dhe Izraeli, ndërsa frymë artistike programit i dha Kori i Fakultetit të Arteve.