Tri memorandume në ditën e shënuar të Universitetit të Prishtinës

14 Shkurt 2025
SHARE

Universiteti i Prishtinës në 55 vjetorin e themelimit, nënshkroi memorandume mirëkuptimi me Universitetin e Elbasanit, Bibliotekën Kombëtare „Pjetër Bogdani” dhe Kolegjin IBCM të Mitrovicës.

Në një atmosferë feste, ceremonia e përbashkët e nënshkrimit të tri memorandumeve, u zhvillua në Sallën Ovale të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Elvira Fetahu, rektorja e Universitetit të Elbasanit „Aleksandër Xhuvani”, tha se kjo arritje që u formalizua sot, nuk ishte vetëm dëshirë e saj, por edhe e personelit të institucionit që drejton.

Ajo shfaqi dëshirën që memorandumi të jetë në shërbim të studentëve të të dy universiteteve, teksa shprehu bindjen që e mira të ndahet me njëri-tjetrin, për një të mirë më të madhe të përbashkët.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se ngjarja e sotme duhet t’i ndihmojë intensifikimit të bashkëpunimit, ndërsa më pas dy rektorët i dhanë njëri-tjetrit dhuratë, plaketat e universiteteve që përfaqësojnë.

Pastaj, u nënshkrua memorandumi mes UP-së dhe Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (IBCM). Rektorja e këtij kolegji, Mihone Kerolli-Mustafa, duke falënderuar Universitetin e Prishtinës për ndihmën dhe bashkëpunimin e deritashëm, tha se vetëm puna e përbashkët çon përpara.

Memorandumi tretë, në ditën më të shënuar të UP-së, u nënshkrua me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës „Pjetër Bogdani”. Drejtoresha e saj Blerina Rogova-Gaxha, bashkë me rektorin Arben Hajrullahu, treguan se po bashkëpunohet në një program edukimi të bibliotekarëve.

Nënshkrimi i këtyre memorandumeve përmbylli aktivitetet e 55 vjetorit të themelimit të UP-së.