Ambasadori i Luksemburgut në UP: Të ecim së bashku drejt së ardhmes

05 Shkurt 2025
SHARE

Gjatë vizitës në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës dhe takimit me rektorin Arben Hajrullahu, ambasadori i Luksemburgut, Eric Dietz, tha se duhet krijuar një ekosistem akademik e kërkimor në Kosovë që të lidhet me ata që ekzistojnë në shtetin e tij.

Ai e konsideroi Kosovën një histori suksesi, me profesionistë të dëshmuar, njerëz me aftësi të shkëlqyera e plot talente.

Ambasadori përmendi fushat e digjitalizimit, teknologjisë informative dhe tranzicionit të gjelbër, ku mund të bashkëpunohet mes Universitetit të Prishtinës dhe universitetit në Luksemburg.

Ai konstatoi se duhet ecur së bashku në Evropë, për të qenë konkurrentë me ekonomitë tjera globale, duke marrë shembull Kinën. Tha se kërkimi shkencor në Kosovë duhet të lidhet më shumë me sektorin privat dhe të punojë për ekonominë e vendit.

Rektori Hajrullahu tha se Universiteti i Prishtinës ka vullnet, kapacitet e potencial për të shtuar bashkëpunimin me Luksemburgun dhe industrinë e këtij vendi.

Prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha, që gjithashtu ishte në takim me ambasadorin Dietz, foli për mundësinë që Luksemburgu, ndër të tjera, të ndihmojnë Fakultetin e Mjekësisë në UP, në fushën e shkollimit të mamive, pasi vdekja e foshnjave gjatë lindjes dhe në vitet e para të jetës në Kosovë vazhdon të jetë shumë e lartë ende.

Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike bashkë me Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Prishtinës, kanë nisur bashkëpunimin me Universitetin e Luksemburgut.