Projekti i studentëve të Universitetit të Prishtinës ndër 40 më të mirët në botë 

17 Janar 2025
SHARE

Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës, Erina Blakiqi dhe Roni Veseli, kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke hyrë në mesin e 40 projekt-ideve më inovative në botë në garën globale “Red Bull Basement”. 

Në këtë garë prestigjioze, me mbi 110,000 ide nga mbarë bota, dy studentët përfaqësuan Universitetin e Prishtinës dhe shtetin e Kosovën në fazën finale të saj.

Rektori Arben Hajrullahu, duke i përgëzuar studentët për arritjen, tha se ajo nuk është vetëm personale, por është e mirë edhe për Universitetin e Prishtinës. 

Para se të udhëtonin në Tokio të Japonisë për finalen e garës ku qëndruan katër ditë, Erina Blakiqi e Roni Veseli gjatë nëntorit 2024 triumfuan me projektin e tyre në Kosovë, në mesin e 103 aplikimeve. 

Prototipi i pajisjes së quajtur „PulseInsight” është i dizajnuar për të parashikuar dhe parandaluar sëmundjet e sistemit kardiovaskular dhe respirator, përmes analizës së frymëmarrjes dhe rrahjeve të zemrës, duke përdorur valët elektromagnetike dhe algoritme të inteligjencës artificiale.

Monitorimi kryhet pa kontakt fizik me lëkurën e shfrytëzuesit, ndërsa rezultatet shfaqen në kohë reale përmes një aplikacioni të dedikuar në telefonin e tyre.

Erina Blakiqi e Roni Veseli në kuadër të projektit Erasmus + do të vazhdojnë studimet në Universitetin Linnaeus të Suedisë. 

Një student tjetër dhe një profesor i Universitetit të Prishtinës kohëve të fundit ndërtuan edhe prototipin e ventilatorit mekanik që gjithashtu përdoret në mjekësi.