Në vëllimin e dytë të revistës „Kosova Anthropologica”, të publikuar gjatë muajit dhjetor, dy nga katër punimet shkencore i kushtohen jetës së dikurshme në Dardaninë e lashtë.
Njëri nga këto punime, i përgatitur nga Arthur Laenger dhe kolegët e tij, nëpërmjet analizave kimike të tokës në Ulpianë, ka zbuluar gropat e përgatitjes së gëlqeres dhe punëtoritë metalurgjike, aktivitete që zhvilloheshin edhe në atë kohë të largët.
Edhe praktikat bujqësore të lashta në Dardani janë studiuar nga hulumtimi i Florian Jedrusiakut, duke analizuar mbetjet e karbonizuara të bimëve. Studimi ka zbukuar sisteme bujqësore lokale dhe rajonale, ndërsa ka hedhur dritë mbi mënyrën e ushqimit dhe ekonominë e dikurshme të Dardanisë.
Hulumtimi i Linda Papit, i botuar gjithashtu në „Kosova Anthropologica”, merret me ndikimet e hershme kelte në Italinë Veriore dhe Adriatikun e Epërm dhe me shkëmbimet kulturore mes popullatës së këtyre viseve dhe keltëve gjatë kohës së hekurit.
Një temë pak më e re, ajo e emigrantëve të kthyer për të zhvilluar bizneset e tyre rurale në Kosovë, trajtohet nga Lumnije Kadriu, ndërsa tregon se të rikthyerit përdorin rrjete transnacionale dhe kapital shoqëror e financiar për të nxitur rritjen e bizneseve të tyre.
Revista „Kosova Anthropologica” botohet nga Departamenti i Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetin e Prishtinës.