Në mbledhjen e dhjetë të Senatit të Universitetit të Prishtinës, të zhvilluar të hënën e 23 dhjetorit 2024, rektori Arben Hajrullahu paralajmëroi se për studentët e doktoratës që do të fillojnë në vitin akademik 2025/’26 konkursi do të shpallet që në pranverën e hershme të 2025 dhe ata do t’u nënshtrohen testeve të gjuhës angleze të pranuara ndërkombëtarisht.
Këto teste deri tash janë mbajtur nga profesorët e Departamentit të Gjuhës Angleze të Universitetit të Prishtinës. Rektori Hajrullahu foli për risinë e testeve, teksa u diskutua për hapjen e konkursit për studime të doktoratës në disa njësi akademike për vitin 2024/’25.
Senati vendosi që konkursi për studime të doktoratës të shpallet më së voni deri më 31 dhjetor 2024.
Në mbledhjen e dhjetë të Senatit të Universitetit të Prishtinës, mes tjerash, u miratuan pa asnjë votë kundër dhe abstenim, disa tema të doktoratës dhe mentorët e tyre, të propozuar nga Këshilli Qendror i Studimeve të Doktoratës. Po ashtu u ratifikuan njëzëri nga senatorët disa punime doktorate.
Gjithashtu, në mbledhjen e Senatit, u krijuan grupe punuese për hartimin e Rregullores për vlerësimin e performancës së personelit akademik dhe për Ombudspersonin për studentë.
Kjo mbledhje e Senatit ishte e fundit për vitin 2024.