Sqarim lidhur me interpretimet për konflikt interesi në procesin e avancimeve akademike të personelit në Universitetin e Prishtinës

18 Dhjetor 2024
SHARE

Rektori dhe kolegjiumi i dekanëve nga të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës, në vazhdën e raportimeve të kohëve të fundit me pretendimet për konflikt interesi në procesin e avancimeve të personelit akademik, në disa raste, përfshirë edhe rektorin Arben Hajrullahu, bëjnë këtë sqarim për opinionin publik.

Universiteti i Prishtinës siguron që do të trajtojë me seriozitetin më të madh të gjitha shkresat që pranon nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në lidhje me Universitetin e Prishtinës, siç ndodhi edhe me rastin e konkursit nr. 1/331, në mbledhjen e nëntë të Senatit të Universitetit të Prishtinës, të mbajtur më 27 nëntor, 2024.

Përderisa administrimi dhe dokumentimi i proceseve të avancimeve akademike ka qenë subjekt i praktikave dhe interpretimeve të kohës, universiteti përkushtohet të formalizojë interpretimet e fundit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në praktikat e veta të administrimit të dokumentimit të proceseve lidhur me avancimet akademike.

Transparenca e plotë rreth arritjeve, veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe angazhimeve mësimdhënëse të rektorit dhe pjesëtarëve të tjerë të komunitetit akademik mbetet një ndër shtyllat kryesore të institucionit.

Në vazhdën e kësaj, Universiteti i Prishtinës ka formalizuar rritjen e standardeve akademike me dispozitat e reja në statutin e miratuar në vitin 2024 dhe kjo paraqet një standard të ri në sistemin e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.

Universiteti i Prishtinës rithekson se integriteti, llogaridhënia, ekselenca akademike dhe transparenca janë parime udhëheqëse të tij. Mëtimi për integritet të lartë dhe ekselencë akademike në universitetin më të madh publik është edhe betejë për forcimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës. Andaj, strukturat menaxheriale të universitetit mbeten të përkushtuara edhe në këtë mision.