Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës u zhvillua mbledhja e Konferencës së Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë.
Në mbledhje, drejtuesit e pranishëm të institucioneve publike të arsimit të lartë, zgjodhën njëzëri rektorin e Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, kryesues të Konferencës së Rektorëve, derisa, gjithashtu, pa vota kundër dhe abstenime, zëvendëskryesues i konferencës u zgjodh Mentor Alishani, rektori i Universitetit të Prizrenit „Ukshin Hoti”.
Rektori Hajrullahu, duke e konsideruar Universitetin e Prishtinës universitet të përbashkët të të gjithë rektorëve të pranishëm, pasi universitetet tjera publike nëpër qytetet e mëdha të Kosovës kanë dalë nga UP-ja, tha se qëllimi i takimit është koordinimi për politika sa më te mira të zhvillimit të arsimit të lartë.
Në konferencë, përveç rektorëve Hajrullahu e Alishani, morën pjesë: Agron Bajraktari, rektor i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Artan Dërmaku, rektor i Universitetit të Gjilanit „Kadri Zeka”, Armand Krasniqi, rektor i Universitetit të Pejës „Haxhi Zeka”, Drilon Bunjaku, rektor i Universitetit të Gjakovës „Fehmi Agani” dhe Mihane Kerolli, rektore e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.
Mandati i rektorit Hajrullahu në krye të Konferencës së Rektorëve është njëvjeçar.
Konferenca e Rektorëve funksionon në bazë të një udhëzimi administrativ për punën, detyrat dhe përgjegjësitë e saj, të lëshuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.