Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut që shënohet çdo vit më 10 dhjetor, Universiteti i Prishtinës dhe Institucioni i Avokatit të Popullit pritet të zhvillojnë një aktivitet të përbashkët.
Për një aktivitet të tillë në lidhje me të drejtat e njeriut, në të cilin do të ftohen studentë, profesorë, përfaqësues të shoqërisë civile e politikës kosovare, u morën vesh në një takim rektori i Universitetit të Prishtinës Arben Hajrullahu dhe avokati i popullit Naim Çelaj.
Avokati i popullit Çelaj, derisa tregoi se pavarësia është shtylla kryesore e tij dhe institucionit që drejton, tha se me Universitetin e Prishtinës ka përvoja të mira, pasi disa profesorë janë të përfshirë me ekspertizën e tyre në çështjet që trajtohen nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Në takim, rektori Arben Hajrullahu tha se Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës është i hapur për bashkëpunim me Avokatin e Popullit. Ai propozoi ligjërata të përbashkëta për studentët, profesorët dhe publikun e gjerë për të drejtat e njeriut, mosdiskriminimin e barazinë gjinore që do të organizoheshin nga të dy institucionet së bashku.
Për ligjërata të tilla u pajtua plotësisht edhe avokati i popullit Naim Çelaj, duke shprehur shqetësimin se pse për zhvillime të rëndësishme shoqërore nuk u jepet hapësirë e mjaftueshme mediale mendimeve të profesorëve dhe botës akademike.
Rektori Arben Hajrullahu, avokatin e popullit Çelaj e priti bashkë me prorektorët Naim Jerliu e Albana Berisha – Qehaja, sekretarin e Universitetit të Prishtinës Besnik Loxha dhe drejtoren e Zyrës Ligjore Saranda Leka, ndërsa me avokatin erdhën edhe zëvendësi i tij Basri Kastrati dhe këshilltarja Rozafa Selmanaj.