Në një takim njohës me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, rektori Arben Hajrullahu kërkoi bashkëpunim për një Universitet të Prishtinës me të cilin do të jemi edhe më shumë krenarë.
Rektori Hajrullahu falënderoi mysafirët e tij për bashkëpunimin dhe monitorimin e bërë ndaj institucionit që drejton, sidomos në 15 vjetët e fundit, duke thënë se kjo i ka ndihmuar Universitetit të Prishtinës të vetëkorrigjohet.
Më tutje, përfaqësues të shoqërisë civile folën për projekte që lidhen me Universitetin e Prishtinës.
Fortesa Shasivari, zyrtare për edukim në organizatën „Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” foli për mbështetjen akademike dhe joakademike që kjo organizatë u jep studentëve të këtyre komuniteteve, nga e cila mund të përfitojnë edhe studentët romë, ashkalinj e egjiptianë të Universitetit të Prishtinës.
Blerina Ukshini, menaxhere e projekteve në organizatën „Germin” u angazhua që diaspora të mos shikohet vetëm si sjellëse e remitancave, por edhe si potencial ndihmues me ekspertizën dhe dijen e saj.
Edita Buçinca nga „Qendra për Edukim e Kosovës” KEC foli për projektin „Hei 25”, menaxhere e të cilit është. Projekti, i cili implementohet në partneritet edhe me ,,Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim” ORCA, synon demokratizimin dhe përmirësimin e legjislacionit të arsimit të lartë në Kosovë.
Rina Demiri - Spahia, drejtoreshë ekzekutive në organizatën „Action for Mothers and Children”, foli për përpjekjet që të ulet vdekshmëria e foshnjave në Kosovë, që është më e larta në Evropë, duke u ankuar se ka shumë pak neonatologë në vendin tonë, ndërsa drejtorja ekzekutive e „Demokracisë për Zhvillim” Rezarta Delibashzade - Krasniqi tregoi për projektin e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.
Edhe Kastriot Muçolli, menaxher i zyrës në „Tech for Kosova” foli për projektet e përbashkëta me Universitetin e Prishtinës për rekrutim të kuadrove në sistemin arsimor të Kosovës.
Në takimin e rektorit Hajrullahu me përfaqësues të shoqërisë civile, ishin edhe prorektorët Albana Berisha - Qehaja, Avni Hajdari, Naim Jerliu e Rozafa Basha.