Lidhja e Universitetit të Prishtinës me Austrinë ka histori të gjatë suksesi

15 Nëntor 2024
SHARE

Ambasadori i Austrisë në Kosovë Georg Shchnetzer në një takim me rektorin Arben Hajrullahu e konsideroi mbresëlënëse faktin që shumë profesorë të Universitetit të Prishtinës janë formuar në universitetet austriake.

Lidhjet mes Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve austriake u cilësuan si afatgjate dhe të qëndrueshme, duke treguar se universitetet si ai i Gracit dhe Vjenës ishin të parët që pranuan studentë nga Kosova në vitet e ’90 të shekullit të XX.

Rektori Arben Hajrullahu, duke qenë edhe vetë nga ata studentë kosovarë që janë formuar në Austri, ia kujtoi ambasadorit austriak se dhjetë vjet të jetës dhe moshës së rinis të tij i ka kaluar në universitetet austriake.  

Ambasadori Shchnetzer tha se është shumë i lumtur që UP-ja nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Programin austriak ShER, Arsimin e Lartë dhe Kërkimin e Qëndrueshëm në Kosovë, ndërsa rektori Hajrullahu deklaroi se me ShER-in ka shumë punë për të bërë, si p.sh. ato rreth harmonizimit të dokumenteve sipas Statutit të ri të Universitetit të Prishtinës.

Memorandumi mes Programit ShER dhe UP-së u nënshkrua më 8 nëntor 2024.

Në takim u fol edhe për projektet e së ardhmes. U tha se Universiteti i Prishtinës p.sh. mund të bashkëpunojë edhe me Universitetin Teknik të Vjenës në fushën e humanizmit digjital, një zhvillimi të teknologjisë dhe politikave digjitale duke u bazuar në të drejta të njeriut, demokraci, përfshirje dhe shumëllojshmëri.

Ndihma e shtetit dhe institucioneve arsimore austriake për shkollimin e shqiptarëve të Kosovës është tashmë shekullore, e nisur që në kohën e Perandorisë Osmane për të ardhur deri në ditët e sotme.

Më 30 tetor, rektori Arben Hajrullahu mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me ndihmën e projektit austriak „Enabling Income Generation for the Poor” (EnInGeP), qëllimi kryesor i të cilës është zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit privat për të krijuar vende të punës dhe fitim të të ardhurave për të varfrit dhe të pambrojturit në Kosovë.

Aty rektori Hajrullahu foli për lidhjen e tregut të punës dhe ekonomisë private me studimet universitare.

Më 4 nëntor rektori Arben Hajrullahu ishte edhe në Samitin Ekonomik të Vjenës, ku përfaqësues të Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim folën edhe për ndihmë të universiteteve të vendeve anëtare, pjesë e të cilave është edhe Kosova.