Lista e gjatë gjermane e bashkëpunimeve me Universitetin e Prishtinës

12 Nëntor 2024
SHARE

Në një takim të rektorit Arben Hajrullahu me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë Jörn Rohde, u fol për ndihmën dhe bashkëpunimin mes universiteteve gjermane dhe Universitetit të Prishtinës.

Rektori i tregoi ambasadorit se ditën e parë të mandatit të tij në krye të Universitetit të Prishtinës, e nisi në Berlin, i ftuar nga Shtylla për Shkencë, Arsim, Hulumtim e Inovacion e Procesit të Berlinit dhe se më pas pati nderin të flasë para deputetëve të Bundestagut Gjerman nga Komiteti për Arsim, Kërkime Shkencore dhe Teknologji. 

Pastaj biseda u përqendrua te bashkëpunimet e Universitetit të Prishtinës me shumë institucione gjermane të arsimit të lartë, një listë të të cilave rektori Hajrullahu e prezantoi gjatë takimit. 

Më 5 nëntor, Universiteti i Prishtinës nënshkroi marrëveshje mirëkuptimi me Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Flensburgut të Gjermanisë, duke marrë shembull inovacionet që i solli botës gjiganti automobilistik „Mercedes Benz”.  

Ambasadori Rohde tha se Kosova duhet ta shfrytëzojë praninë e organizatave të ndryshme ndërkombëtare si: KFOR-i, OSBE-ja, UNMIK-u, etj, në territorin e saj, pasi është vend atraktiv për hulumtuesit shkencorë ndërkombëtarë. 

Ai, për ta argumentuar këtë konstatim, përmendi Universitetin Veror të Prishtinës, për pjesëmarrje në sesionet e të cilit, tha se është rritur interesimi i ndërkombëtarëve. Universiteti Veror i Prishtinës vitin e ardhshëm zhvillon edicionin e 25-të të tij. 

Ambasadori i shtetit më të fortë të BE-së, tha se Ambasada e Gjermanisë në projektet në Kosovë, bashkëpunon edhe me organizata dhe vetë shtetet e Zvicrës dhe Austrisë. 

Rektori Arben Hajrullahu më 4 nëntor mori pjesë në Samitin Ekonomik të Vjenës, ku përfaqësues të Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, folën edhe për mundësinë e ndihmës për universitetet e vendeve anëtare. 

Edhe në një konferencë të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me ndihmën e projektit austriak „Enabling Income Generation for the Poor” (EnInGeP), rektori Hajrullahu foli për lidhjen e shkollimit universitar me tregun e punës dhe ekonominë private.