Mundësi bashkëpunimi me Qendrën për Studime Evropiane dhe Euroaziatike të Universitetit të Torontos

12 Nëntor 2024
SHARE

Universiteti i Prishtinës dhe Qendra për Studime Evropiane dhe Euroaziatike, e drejtuar nga profesori Robert Austin mund të kenë së shpejti një marrëveshje bashkëpunimi. 

Drejtimet kryesore për bashkëpunimin e ardhshëm mes dy institucioneve u diskutuan dhe përcaktuan gjatë takimit që prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik Rozafa Basha, e pati me profesorin Robert Austin. 

Takimi mes profesoreshës Basha dhe profesorit Austin ndodhi në The Munk School of Global Affairs and Public Policy, në Universitetin e Torontos. 

Profesori Robert Austin është ekspert për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit, me fokus në demokratizim dhe shtetndërtim, ndërsa Qendra për Studime Evropiane dhe Euroaziatike konsiderohet ndër institucionet më të rëndësishme të hulumtimeve akademike për vendet e Bashkimit Evropian, Evropës Qendrore dhe Lindore, Rusisë, Transkaukazit dhe Azisë Qendrore. 

Gjatë vizitës në Toronto, përveç takimit me profesorin Austin, prorektorja Basha në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës takoi edhe përfaqësuesit e organizatave studentore shqiptare të universiteteve të Torontos dhe Yorkut.

Profesoresha Basha ua prezantoi studentëve mundësitë që ofron Universiteti i Prishtinës: programet në gjuhën angleze për ata që nuk flasin shqip, kurset e Universitetit Veror të Prishtinës dhe punën praktike, ndërsa studentët u zotuan që këto informata do t’i shpërndajnë në rrjetet e tyre. 

Më 6 nëntor, prorektorja Basha për herë të parë në histori të Universitetit të Prishtinës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Betina Appel Kuzmarov, zëvëndëspresidenten e asocuar të Universitetit Carleton të Kanadasë.