Në Forumin Ekonomik të Vjenës gatishmëri për të ndihmuar universitetet

05 Nëntor 2024
SHARE

Në njërin nga panelet diskutuese të Forumit Ekonomik të Vjenës, u shpreh gatishmëria e ndihmesës së universiteteve të vendeve anëtare. 

Stéphane Straub, ekonomisti kryesor për infrastrukturë në Bankën Botërore, tha se institucioni që përfaqëson është i interesuar të ndihmojë universitetet e vendeve anëtare të Forumit Ekonomik të Vjenës. 

Straub, interesimin për ndihmë të universiteteve e deklaroi teksa fliste në panelin me temën „Zhvillimi i Ekonomisë në Rajon nga Adriatiku në Detin e Zi, si Pjesë e Ekonomisë Evropiane dhe Globale”. 

Ndihmën për universitetet në të njëjtin panel diskutimi, e përmendi edhe Christoph Denk, drejtor i përgjithshëm për strategjinë dhe zbatimin e politikave në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Forumi Ekonomik i Vjenës e promovon bashkëpunimin ekonomik regjional që kur u themelua në vitin 2004, ndërsa shtetet anëtare të tij janë: Austria, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Rumania, Sllovenia, Shqipëria,Turqia dhe Ukraina. 

Në edicionin e sivjetmë, të 21-in me radhë të Forumit, mori pjesë edhe rektori i Universitetit të Prishtinës Arben Hajrullahu, ndërsa  në disa panele u fol edhe për përgjegjësitë e ekonomisë dhe politikës për një të ardhme të sigurt evropiane dhe për bashkëpunimin ekonomik që është më i rëndësishëm se kurrë më parë. 

Rektori Hajrullahu, në fund të tetorit, në një konferencë të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me ndihmën e projektit austriak „Enabling Income Generation for the Poor” (EnInGeP), foli për domosdoshmërinë e lidhjes së ekonomisë private dhe tregut të punës me shkollimin universitar dhe energjinë e kreativitetin studentor.