Në një konferencë të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ku u prezantuan gjetjet fillestare dhe hapat e ardhshëm për Fondin e Inovacionit të Kosovës, rektori i Universitetit të Prishtinës Arben Hajrullahu theksoi nevojën që ky fond të lidhë ekonominë, ndërmarrësinë, me punësimin e të rinjve dhe studentëve edhe më fort.
Në panelin diskutues „Zbërthimi i Rrugëtimit të Fondit të Inovacionit”, rektori Hajrullahu tha se institucionet e shkollimit të lartë duhet t’i përshtatin programet e tyre mësimore me kërkesat e tregut të punës dhe teknologjitë e reja. Sipas Hajrullahut, Universiteti duhet të krijojë partneritete strategjike me sektorin privat dhe të nxisë inovacionin te studentët e ndërrmarrësit si parakusht i zhvillimit të qëndrueshëm.
Panelin e moderoi Kujtim Dobruna nga ECIKS-i dhe bashkë me rektorin Hajrullahu diskutuan edhe dr. Sabine Mayer nga Departamenti i Strategjisë i Agjencisë Austriake për Promovimin e Kërkimeve (FFG), Brigit Tauber, drejtuese e Departamentit të Programeve të Përgjithshme (FFG) në të njëjtën agjenci, Anita Kovacic, drejtuese e Bordit Menaxhues të Raiffeisen Bank në Kosovë. Pjesë e diskutimeve ishin edhe Zef Dedaj, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë KIESA dhe Yllza Memeti, ushtruese detyre e udhëheqëses së Divizionit për Inovacion në Ministrinë e Arsimit.
Para se të nisnin diskutimet, të pranishmëve me fjalimet e tyre iu drejtuan ambasadori i Austrisë në Kosovë Georg Schnetzer, ministrja Rozeta Hajdari dhe drejtoresha rajonale e „CARE International” , Sumka Bucan.
Konferenca u organizua me ndihmën e projektit austriak „Enabling Income Generation for the Poor” (EnInGeP), qëllimi kryesor i të cilit është zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit privat për të krijuar vende të punës dhe fitim të të ardhurave për të varfrit dhe të pambrojturit në Kosovë.
Projekti „EnInGep” është financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), ndërsa zbatohet nga „CARE International” dhe kompania e këshillimit inovativ ECIKS.