Takim për ngritje të Universitetit të Prishtinës në Programin Erasmus+

23 Tetor 2024
SHARE

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës është takuar me përfaqësues të Zyrës së Erasmus+ në Kosovë për të diskutuar rreth mundësive të sivjetme që ofron programi i Bashkimit Evropian për arsimin.

Rektori Arben Hajrullahu dhe prorektoret Albana Berisha Qehaja e Rofaza Basha me koordinatoren e Zyrës së Erasmus+ në Kosovë Mimika Dobroshi dhe zyrtaren për projekte Blerina Zjaça Osmani, folën për avancim të Universitetit të Prishtinës në programin Erasmus+. 

,,U takuam me menaxhmentin e ri të Universitetit të Prishtinës për të biseduar rreth mundësive të hapura të programit Erasmus+ dhe ngritjes së pjesëmarrjes së UP-së në këtë program të Bashkimit Evropian”, tha koordinatorja Mimika Dobroshi. 

Programi i Bashkimit Evropian Erasmus+ që mbështet arsimimin, trajnimin, rininë e sportin, ua ka hapur dyert institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë për bashkëpunim ndërkombëtar nëpërmjet projekteve dhe shkëmbimit akademik. 

Universiteti i Prishtinës njofton vazhdimisht studentët rreth aplikimeve për bursa në shumë universitete evropiane, në kuadër të programit Erasmus+.

Kosova është pjesë e programit Erasmus+ që nga viti 2015, ndërsa prej tij deri tash kanë përfituar 6278 studentë e profesorë të institucioneve të arsimit të lartë.