Universiteti i Prishtinës ndihmon aftësimin për sfidat dhe energjinë e së ardhmes

18 Tetor 2024
SHARE

Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, me përfaqësues të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), u diskutua për aftësimin profesional, fuqinë punëtore dhe një tranzicion të drejtë e gjithëpërfshirës te sfidat dhe energjia e së ardhmes.

Në takim, si mysafir i rektorit Arben Hajrullahu me bashkëpunëtorë, ishte edhe Kevin Mitchell, drejtor menaxhues i operacioneve sektoriale të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, një agjencie federale amerikane që, mes tjerash, ndihmon edhe sektorin e energjisë.

Mitchell ndodhet në vendin tonë për të zhvilluar takime me partnerët kosovarë të organizatave të ndryshme që po përfitojnë nga programi „Compact” i agjencisë amerikane, në vlerën e mbi 200 milionë dollarëve, me të cilin synohet transformimi i sektorit të energjisë në Kosovë.

Florina Duli-Sefaj, drejtoresha ekzekutive e Millenium Challenge Account Kosovo, që ishte e pranishme në takim, më parë në emër të organizatës që drejton, nënshkroi memorandum mirëkuptimi me Universitetin e Prishtinës.

Memorandumi parashikon aftësimin profesional me anë të kurseve të ndryshme në Qendrën për Energji dhe Qëndrueshmëri të Universitetit të Prishtinës të atyre që dëshirojnë të krijojnë karrierë në fushën e energjisë, duke u bazuar në barazi gjinore dhe përfshirje sociale.

Sipas memorandumit, Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë do të ndihmojnë Qendrën për Energji dhe Qëndrueshmëri me ekspertë, kontribute financiare, teknologji moderne, ndërsa Universiteti i Prishtinës do të ofrojë hapësirën e tij, ekspertizën dhe do të kujdeset për plotësimin e kritereve të akreditimit nga programet trajnuese.

Për Universitetin e Prishtinës bashkëpunimi me institucione e projekte amerikane është shumë i rëndësishëm. Më 3 tetor u inaugurua Instituti i Antropologjisë në Fakultetin Filozofik nga një ndihmë financiare amerikane prej 16 mijë eurosh, të dhënë nëpërmjet „University Support Grant”.

Atë ditë rektori Arben Hajrullahu e nderoi ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, me mirënjohjen e „Ulpiana Fest-it”.