I ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë,Keisuke Yamanaka, dhe përfaqësuesi i „Tokyo Foundation Policy Research”, Riaki Tanaka, duke ia uruar detyrën rektorit Arben Hajrullahu, kërkuan rrugë për të lidhur edhe më shumë Japoninë me Kosovën.
Rektori Hajrullahu i falënderoi dy mysafirët e tij për ndihmën e vazhdueshme që Japonia i ka dhënë dhe i jep Universitetit të Prishtinës dhe Kosovës në përgjithësi, duke theksuar se bashkëpunimet më të qëndrueshme janë ato për të cilat ka interes të përbashkët.
Prorektorët Rozafa Basha e Avni Hajdari folën për bashkëpunime me profesorë e institucione japoneze në kuadër të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës apo edhe në projekte tjera.
Fondacioni nga Tokyo, në kuadër të „Read Japan Project”, përzgjodhi Bibliotekën Qendrore Universitare të Universitetit të Prishtinës si institucionin ku do të dhurohen 200 libra në gjuhën angleze, me qëllimin që nëpërmjet tyre të dihet më shumë për Japoninë.
Përzgjedhja e kësaj biblioteke si vend donacioni u bë me rekomandim të Ambasadës së Japonisë në Kosovë.
Zotëri Tanaka, që për herë të parë ishte për vizitë në Kosovë, tregoi se institucionet e ndryshme mund të aplikojnë për nga 200 libra në mënyrë të vazhdueshme. Si për ta vërtetuar se dëshiron të japë libra, ai ia dhuroi dy libra rektorit Hajrullahu.
Librat nga Japonia pritet të vijnë në Kosovë në janar ose shkurt të vitit 2025, ndërsa do të krijohet edhe këndi japonez i librave.