Teksa mori pjesë dhe foli gjatë përurimit të Institutit të Antropologjisë, rektori Arben Hajrullahu i dorëzoi ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, shkëlqesisë së tij Jeffrey M. Hovenier mirënjohjen e „Ulpiana Festit” në trajtë të një paraje metalike të gjetur në Ulpianë.
Rektori gjithashtu falënderoi ShBA-në për ndihmën e vazhdueshme të dhënë për arsimin e lartë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
„Faleminderit shumë shkëlqesia juaj, ambasadori Hovenier, juve personalisht dhe shtetit tuaj të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për përkrahjen e vazhdueshme ndaj sektorit të arsimit dhe Republikës së Kosovës në përgjithësi”, tha rektori Hajrullahu.
Funksionalizimi i Institutit të Antropologjisë u mundësua nga ndihma financiare amerikane në vlerën e 16 mijë eurove, që vitin e kaluar u dha nëpërmjet „University Support Grant”.
Duke folur për antropologjinë, që studion të tashmen dhe të kaluarën njerëzore dhe është e patejkalueshme edhe në kohën e inteligjencës artificiale, rektori Hajrullahu kujtoi traditën e respektimit të miqve në Kosovë.
,,Presidenti Historik, dr. Rugova, i cili pëlqente dhe promovonte trashëgiminë e Kosovës së sotshme nga Dardania Antike, në kohë shumë të vështira për vendin dhe njerëzit e kësaj toke, me urtësi mbresëlënëse, na rikujtonte se „Shtëpia pa miq nuk mbahet!”, tha Hajrullahu.
Edhe Arsim Canolli, drejtor i Institutit të Antropologjisë, foli për historinë e kësaj shkence në Kosovë, duke përmendur mbledhësit e trashëgimisë nga Shtjefën Gjeçovi te Mark Krasniqi, pastaj Drita Statovci e deri te brezat e sotëm.
„Ekzistojnë disa breza etnologësh, antropologësh, të Kosovës. Pra, ekziston një histori e antropologjisë, një evoluim e gërshetim breznor. Ka pluralizëm në mendim e në botëkuptime dhe kjo është një pasuri shtesë”, tha Canolli.
Diversitetin e kulturave dhe mendimeve e përmendi edhe Bekim Baliqi, dekan i Fakultetit Filozofik.
„Jemi mbledhur këtu, jo vetëm për të festuar themelimin e institutit, por edhe për të nderuar aspekte të ndryshme të kulturave, historive dhe praktikave shoqërore”, tha Baliqi.
Në ditën e inaugurimit, përfaqësues të Institutit të Antropologjisë kumtuan nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me Universitetin e Miçiganit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Institutin e Arkeologjisë së Kosovës, ndërsa u paralajmëruan edhe bashkëpunime të tjera.