Rektori Arben Hajrullahu ka nisur punën në krye të Universitetit të Prishtinës duke u zotuar për llogaridhënie dhe transparencë.
Pranim-dorëzimi i detyrës është bërë nga Qerim Qerimi që drejtoi UP-në nga viti 2022 deri ditën e sotme, 1 tetor 2024. Të pranishëm në pranim-dorëzimin e detyrës ishin edhe prorektorët e rinj të zgjedhur nga profesor Hajrullahu.
Ish-rektori Qerimi i uroi shumë suksese rektorit të ri, duke ia kujtuar se suksesi i tij është sukses i Universitetit të Prishtinës.
Prof. dr. Arben Hajrullahu, mësimdhënës në Fakultetin Filozofik, u zgjodh rektor në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës të mbajtur më 7 gusht 2024.
Pas fillimit të studimeve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1994, Arben Hajrullahu vazhdoi studimet në Universitetin e Gracit dhe në Universitetin e Vjenës ku edhe doktoroi në vitin 2005. Ngritja e tij akademike është bërë në fushën e shkencës politike dhe ka një përvojë mbi njëzetvjeçare pune në Universitetin e Prishtinës.
Hajrullahu ka publikuar punime shkencore kryesisht për integrimet evropiane dhe është angazhuar edhe për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Ballkan e përtej.
Me ekipin e prorektorëve: Albana Berisha-Qehaja, Avni Hajdari, Naim Jerliu e Rozafa Basha, ai synon ta sjellë në Universitetin e Prishtinës saktësinë, punën dhe përvojën e fituar nëpër institucionet akademike gjermane e anglofone.
Rektori Hajrullahu ka mandat të drejtojë Universitetin e Prishtinës deri më 15 shtator 2028.