Universiteti i Prishtinës dhe MCA – Kosova (Llogaria e Sfidës së Mijëvjeçarit – Kosovë) kanë krijuar një partneritet strategjik që synon fuqizimin e programeve të aftësimit profesional në sektorin e energjisë përmes nënshkrimit të një Memorandumi të Mirëkuptimit.
Memorandumi u nënshkrua nga rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, dhe drejtoresha ekzekutive e MCA – Kosova, znj. Florina Duli – Sefaj.
Ky bashkëpunim, i formalizuar në kuadër të komponentëve të Projektit për Përshpejtimin e Tranzicionit të Drejtë dhe të Barabartë (Just and Equitable Transition Acceleration - JETA): Aktiviteti i Aftësive Energjetike për të Ardhmen (Energy Skills for the Future – ESF) dhe Aktiviteti i Fuqisë Punëtore në Sektorin e Energjisë Gjithëpërfshirëse (Inclusive Energy Sector Workforce - IESW), është një zotim i përbashkët i të dyja palëve për të pajisur kuadrin vendor me aftësitë e nevojshme për karrierë të qëndrueshme, duke promovuar barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale.
Me këtë rast, rektori Qerimi theksoi se Universiteti i Prishtinës, si institucioni udhëheqës akademik i përkushtuar për avancim të arsimit, hulumtimit dhe angazhimit në komunitet, ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur këtë partneritet, duke ofruar infrastrukturën, hapësirat dhe burimet njerëzore të tij, si dhe duke themeluar një qendër trajnimi për zbatim të programeve të trajnimit teknik të mbështetur nga MCA – Kosova.
Ky memorandum ka për qëllim krijimin e kornizës së bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe MCA – Kosova, për të lehtësuar themelimin e një qendre të dedikuar trajnimi për ofrim të programeve të trajnimit teknik dhe për nevoja të ngritjes së kapaciteteve të programit të ESF-së (“Aftësitë Energjetike për të Ardhmen”) përmes shfrytëzimit të ekspertizës, burimeve njerëzore, infrastrukturës dhe të hapësirave të Universitetit të Prishtinës.
Kjo kornizë po ashtu pasqyron zotimet e palëve për t'iu përmbajtur politikave gjinore dhe atyre të përfshirjes sociale.
Drejtoresha ekzekutive e MCA-së, Florina Duli-Sefaj, shprehu falënderimin e saj për bashkëpunimin me UP-në dhe programi i ESF-së do të zhvillojë programe të reja të trajnimit teknik dhe do të përmirësojë ato ekzistuese, për të përmbushur kërkesat e punëdhënësve për aftësi në industrinë e energjisë dhe në industritë e ngjashme. Programi i ESF-së mbështet objektivat e qeverisë për një tranzicion të drejtë energjetik.
Të pranishëm në takim ishin edhe z. Hamit Qeriqi, drejtor i projektit JETA, përfaqësues të MCA - Kosova dhe prof. Majlinda Daci, drejtoreshë e Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri të Universitetit të Prishtinës, të cilët vlerësuan këtë bashkëpunim dhe shprehën gatishmërinë e tyre për vazhdimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.
Projekti JETA (Përshpejtimi i Tranzicionit të Drejtë dhe të Barabartë), është një nga tre projektet në kuadër të Marrëveshjës së Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) – Kosovë në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh të lidhur ndërmjet Qeverive të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.