Rektori Qerimi shpërblen me mirënjohje studentët e UP-së që u renditen të katërt në garat ndërkombëtare të robotëve autonomë

26 Maj 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ka pritur në takim studentët, të cilët kanë përfaqësuar suksesshëm Universitetin e Prishtinës në garën ndërkombëtare të robotëve autonomë “NXP semiconductor”, të cilët ai i shpërbleu me mirënjohje. Në këtë takim pjesëmarrës ishin edhe prorektorja Njomza Llullaku, dekani i FIEK-ut, Isak Shabani, dhe profesori Lavdim Kurtaj.

Rektori Qerimi i falënderoi studentët për suksesin e jashtëzakonshëm në garë si dhe përfaqësimin e dinjitetshëm të UP-së. “Nëpërmjet këtij takimi simbolik, dëshiroj t’ju falënderoj për punën e jashtëzakonshme në gara dhe për suksesin e arritur, i cili natyrisht bazohet në një punë të vazhdueshme, që është duke u bërë në klasat tuaja,” tha rektori.

Rektori shpërbleu me mirënjohje  edhe profesorin Lavdim Kurtajn, i cili ka qenë trajner i studentëve gjatë garës. Ai, gjatë takimit, e falënderoi UP-në për përkrahjen e vazhdueshme, duke potencuar se këto arritje janë frymëzim për gjenerata të tjera.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Isak Shabani, u shpreh i kënaqur me suksesin e studentëve dhe tha se janë duke punuar vazhdueshëm në përgatitjen e studentëve profesionistë.

Ditë më parë, studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike kanë arritur të rangohen në vendin e katërt nga më shumë se 100 ekipe të tjera nga 12 shtete të ndryshme, në garën robotike, të organizuar nga “NXP semiconductor”, një ndër kompanitë lidere në prodhimin e sistemeve mikroprocesorike. Studentët e shpërblyer me mirënjohje janë: Gentrit Fejza, Arbnor Shabani dhe Fatlum Telaku.