Universiteti i Prishtinës, në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Bordin për Shkëmbime Arsimore Shtetet e Bashkuara–Kosovë (USKEB), organizoi të premten, më 10 korrik 2026, aktivitetin e veçantë “250-vjetori i Shteteve të Bashkuara: 250 vjet si një fanar i demokracisë për botën”.
Aktiviteti, i mbajtur në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës në kuadër të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës – PISU 2026, shënoi 250-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara dhe vuri në pah partneritetin e fuqishëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, si dhe rëndësinë e demokracisë, arsimit dhe shkëmbimeve ndërkombëtare.
Të pranishmëve iu drejtuan rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu; kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti; ushtruesja e detyrës së zëvendësshefes së misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Wylita Bell, si dhe drejtoresha e Institutit të Politikës “Bob Dole” në Universitetin e Kansasit, Audrey Coleman, përmes një video-mesazhi.
Në kuadër të aktivitetit u zhvilluan dy diskutime paneli. Në panelin e parë, “250-vjetori i Shteteve të Bashkuara: 250 vjet si një fanar i demokracisë për botën”, morën pjesë Avni Spahiu, ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara; prof. asst. Luljeta Plakolli-Kasumi, nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës, anëtare e Bordit të USKEB-it dhe alumne e Universitetit të Pittsburgh-ut; si dhe Dr. Melanie Schoeffner, profesoreshë e arsimit reflektiv nga Universiteti James Madison në SHBA. Paneli, i moderuar nga Ilir Hajra, alumni i Programit Fulbright, trajtoi historinë e demokracisë amerikane, ndikimin e saj global dhe rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.
Paneli i dytë, “Tryeza për shkëmbimin dhe ndikimin”, u moderua nga Gjeni Shporta dhe Nora Nimani Musa nga USKEB. Në bashkëbisedim, krahas alumnive të programeve të shkëmbimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, profesorëve dhe studentëve amerikanë pjesëmarrës në PISU dhe përfaqësuesve të komunitetit akademik, morën pjesë edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës Përparim Kryeziu. Diskutimi u përqendrua në rolin e shkëmbimeve arsimore në forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, krijimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe ndërtimin e lidhjeve të qëndrueshme ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve.
Programi përfundoi me një pritje në oborrin e Rektoratit të UP-së, duke u ofruar pjesëmarrësve mundësi për të shkëmbyer ide dhe për të diskutuar forma të reja të bashkëpunimit akademik dhe profesional.