Ka nisur për herë të parë në histori të Universitetit të Prishtinës me një ceremoni hapëse UP Talks, një program publik bashkëbisedimi, ligjërimi e shkëmbimi mendimesh.
Kjo seri e ligjëratave dhe diskutimeve nga ekspertë, profesionistë e personalitete të njohura globale dhe vendase që do të prekin tema me interes për shoqërinë do të incizohet dhe arkivohet në uebfaqen e Universitetit të Prishtinës dhe do të jetë e qasshme për publikun.
Hapja solemne e UP Talks nën moderimin e Donika Eminit, ekspertes së marrëdhënieve ndërkombëtare, politikës së Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimit rajonal, u bë nga prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, profRozafa Basha.
Prorektorja Basha, duke folur për këtë nismë, tha se me UP Talks UP- ja flet për çështje që kanë rëndësi për shoqërinë. „Është një platformë ku dija akademike del përtej sallave të mësimit dhe bëhet pjesë e hapësirës publike”, theksoi ajo.
Pastaj profesoresha e ekonomisë së shëndetit në MonashUniversity, University of Eastern Finland dhe Universitetin e Prishtinës, prof Zanfina Ademi, nisi ligjëratën e saj me temën „Kush vendos për shëndetin tonë?”
Duke i angazhuar të pranishmit nëpërmjet përgjigjes së disa pyetjeve rreth shëndetit me anë të telefonave të tyre, profesoresha Zanfina Ademi tha se shëndeti nuk fillon në spital, por shumë më herët dhe lidhet me mënyrën e jetës. Ajo theksoi se zhvillimet teknologjike janë shumë të nevojshme, por teknologjia nuk merr vendime, vendimet i marrin njerëzit.
Pas ligjëratës, profesoresha Zanfina Ademi iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve.
Në hapje të UP Talks morën pjesë edhe prorektorët Majlinda Gjelaj, Adem Beha e Avni Hajdari, profesorë të Universitetit të Prishtinës, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme. Ligjërata u mbështet nga Open Society Foundation— Western Balkans.
Profesoresha Zanfina Ademi ka mbajtur tashmë disa ligjërata në Universitetin e Prishtinës. Ajo është profesoresha më e cituar shqiptare në botë dhe njëra nga tetë profesorët e diasporës akademike me punë në 400 universitetet më të njohura të globit të lidhur me UP-në.