Hapet thirrja për programet master në gjuhën angleze të Universitetit të Prishtinës

16 Qershor 2026
SHARE

Universiteti i Prishtinës me kënaqësi fton studentët ndërkombëtarë nga universitete të ndryshme të botës që të aplikojnë për programet studimore master në gjuhën angleze në Fakultetin Juridik dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.

Aplikimet janë hapur për programin e Fakultetit Juridik „Të Drejtat e Njeriut, e Drejta Ndërkombëtare Penale dhe Drejtësia Tranzicionale” dhe programin e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit „Menaxhim i Integruar i Burimeve Ujore”.

Programi i Fakultetit Juridik lidhet me teorinë dhe praktikën e të drejtave të njeriut, sistemet regjionale dhe globale të drejtësisë, ndërtimin e paqes, barazisë dhe mosdiskriminimit, ndërsa programi i menaxhimit të ujërave ka të bëjë me sfidat e përditshme botërore për sigurimin e ujit, ku përfshihen shkencat ujore, inxhinieria, politikat dhe qëndrueshmëria për këtë burim të rëndësishëm të jetës.

Programi „Të Drejtat e Njeriut, e Drejta Ndërkombëtare Penale dhe Drejtësia Tranzicionale” zgjat një vit akademik dhe në të pranohen 5 studentë ndërkombëtarë. Prej programit mund të fitohen 60 kredi ECTS. Kandidatë potencialë për këtë program janë studentët që kanë kryer studimet themelore për drejtësi, shkenca politike, administratë publike, ekonomi, psikologji dhe shkenca humane.

Me këtë program parashikohen ligjërata të ekspertëve nga universitete prestigjioze evropiane dhe të ShBA-së, jepen pesë bursa për studentët elitarë nga jashtë dhe organizohen vizita në disa nga gjykatat më të rëndësishme ndërkombëtare.

Të gjitha informatat për programin, periudhën, procedurat dhe kushtet e aplikimit mund t’i gjeni në këtë vegëz.

Programi „Menaxhim i Integruar i Burimeve Ujore” zgjat dy vjet dhe prej tij mund të fitohen 120 kredi ECTS. Mirëpriten veçanërisht kandidatët që kanë të kryer studimet në fushat e inxhinierisë, shkencave natyrore e mjedisore, shkencave sociale, ekonomisë e drejtësisë. Të diplomuarit përgatiten për punë në menaxhim të burimeve ujore, institucione për mbrojtje të mjedisit, administratë publike, organizata joqeveritare, kompani këshilluese e institucione hulumtuese.

Të gjitha informatat e nevojshme për këtë program mund t’i gjeni këtu, ndërsa aplikimin mund ta bëni në këtë vegëz.

Universiteti i Prishtinës një ndër prioritetet e tij kryesore e ka ndërkombëtarizimin, rrjetëzimin dhe sjelljen e sa më shumë studentëve e profesorëve nga jashtë për të shkëmbyer dijen, përvojën dhe traditat.