Universiteti i Prishtinës ka hapur thirrjen për aplikim për pesë pozitat nga radhët e personelit akademik për Këshill Drejtues, pasi Senati i UP-së shpalli zgjedhjet për këto pozita në mbledhjen e 28 majit 2025.
Thirrja për këto pozita është e hapur nga 2 deri më 12 qershor të vitit 2025, ndërsa dokumentet e pranuara do të shqyrtohen nga 13 deri më 17 qershor.
Zgjedhja e kandidatëve që do të kalojnë verifikimin do të ndodhë mes datave 23 dhe 30 qershor, ndërsa ankesat eventuale do të trajtohen mes 1 e 2 korrikut të vitit 2025.
Mandati i anëtarëve të zgjedhur të Këshillit Drejtues nga personeli akademik i UP-së, do të fillojë më 15 shtator 2025 dhe do të përfundojë tre vjet më vonë, më 14 shtator 2028.
Kandidatët dhe të përzgjedhurit nga UP-ja në Këshillin Drejtues, duhet të jenë persona me reputacion të lartë publik, integritet të dëshmuar, arritje të larta shkencore ndërkombëtare dhe përvojë menaxheriale.
Kandidatura parashtrohet brenda afatit të përcaktuar nga Senati, duke dorëzuar një letër motivimi dhe curriculum vitae (CV). Dokumentet duhet të dorëzohen në Zyrën e Arkivës së Universitetit të Prishtinës.
Vendimin e Senatit për shpalljen e zgjedhjeve për anëtarë të personelit akademik të UP-së në Këshillin Drejtues, mund ta gjeni në këtë vegëz.
E gjithë procedura e përzgjedhjes dhe zgjedhjeve për Këshillin Drejtues do të jetë transparente, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe e bazuar në ligjshmëri e meritokraci.