Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, gjatë një interviste në televizionin publik të Kosovës, RTK, përmendi, mes tjerash, tri vija të kuqe që nuk do të shkilen dhe dy parime drejtuese që do zbatohen gjatë qeverisjes prej tij të universitetit më të vjetër, më të madh e më të suksesshëm të vendit dhe përtej.
Në intervistën e parë televizive, prejse e mori mandatin e të parit të UP-së, gati pesë muaj më parë, rektori Arben Hajrullahu krahas transparencës dhe llogaridhënies përmendi dy parime kryesore udhëheqëse gjatë mandatit të tij — ligjshmërinë dhe meritokracinë. Për më shumë ai tha se do të jetë i pakompromis me plagjiaturën, ngacmimet dhe korrupsionin, duke i konsideruar këto tri dukuri negative, vija të kuqe që nuk do të lejohet që të kalohen.
Duke krahasuar Universitetin e Prishtinës në kohën e drejtimit prej tij, me një makinë të gatshme për rrugë të gjatë dhe të suksesshme rektori Hajrullahu nënvizoi: „Motori është duke punuar shumë mirë, ka karburant shumë dhe bateritë janë plot. Jemi rrugës më të mirë të mundshme që këtë universitet ta çojmë përpara”.
Tregoi se me Statutin aktual të UP-së, të miratuar në verën e vitit të kaluar, do t’i hapen mundësi të reja kthimit e qarkullimit të trurit dhe për herë të parë do të mundësohet edhe titulli profesor kërkimor që do t’i japë hov zhvillimit të shkencës.
Por deklaroi se ai dhe menaxhmenti i UP-së do të qëndrojnë me këmbë në tokë. „Ne nuk e kemi luksin që për asnjë moment, asnjë sekond të vetëm të kalojmë në vetëkënaqësi. Nuk do ta bëjmë gabimin që ta krahasojmë universitetin me situatën e para apo pas ’99-ës. Ne do ta krahasojmë UP-në me universitetet e rajonit dhe më tej”, shpjegoi rektori.
Për rektorin Hajrullahu, universiteti nuk do të jetë institucion i qarqeve të mbyllura, ai do të hapet për më të mirët, sepse: „Ne nuk kemi çfarë të fshehim, kemi shumëçka për të treguar dhe atë me krenarinë më të madhe”.
Gjatë intervistës, rektori, mes tjerash, foli edhe për sukseset e studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Prishtinës. Për projektin „PulseInsight” — një pajisje të dy studentëve të UP-së, e dizajnuar për të parashikuar dhe parandaluar sëmundjet e sistemit kardiovaskular dhe respirator, përmes analizës së frymëmarrjes dhe rrahjeve të zemrës, që hyri në mesin e 40 ideve më inovative të botës, duke qenë në konkurrencë me 110 mijë ide e projekte.
Gjithashtu shpjegoi edhe suksesin e një profesori e studenti që ndërtuan prototipin e ventilatorit mekanik, një pajisje që pompon oksigjenin në mushkri dhe largon prej tyre dyosidin e karbonit, ndërsa përdoret te pacientët edhe gjatë ndërhyrjeve kirurgjike.
Ai u lidh edhe me kohën në të cilën po jetojmë. Tha se digjitalizimi është shpëtimi për UP-në, teksa informoi se në universitet ka nisur evidentimi i procesit mësimor me anë të QR kodit.
Rektori nuk i harroi as dukuritë që nuk duhet t’i përmbajë jeta dhe puna e një universiteti. Inkurajoi të gjithë që të kenë kurajo t’i raportojnë rastet e ndonjë shkelje të mundshme, nëse ato ndodhin, në mënyrë që të kanalizohen dhe zgjidhen në organet përgjegjëse.
Intervistën e plotë të rektorit Hajrullahu mund ta ndiqni në videon në vijim.