Në urimin e tij nëpërmjet video-lidhjes, prorektori për strategji, zhvillim ekonomik dhe ndërkombëtarizim i Kolegjit Akademik Gordon të Haifas së Izraelit, Eli Vinokur, e cilësoi Universitetin e Prishtinës një institucion udhëheqës të arsimit të lartë, në nivel lokal dhe rajonal.
Vinokur konstatoi se në Kolegjin Akademik të Edukimit Gordon, vlerësohet lart partneriteti me Universitetin e Prishtinës dhe ka përkushtim për ta fuqizuar atë.
Dy institucionet, bashkëpunimin e nisur së shpejti do ta kurorëzojnë me një memorandum mirëkuptimi, që prorektori Vinokur tha se do të ketë kënaqësinë ta nënshkruajë personalisht, në emër të kolegjit që përfaqëson.
Më tutje, miku i dëshmuar i Universitetit të Prishtinës, 55 vjetët e këtij institucioni i konsideroi vite të shkëlqimit dhe ndikimit akademik.
Vinokur tregoi edhe çfarë nënkupton për të një universitet. Për të, universitetet nuk janë vetëm qendra të dijes, por edhe pishtarë të inovacionit, mendimit kritik dhe progresit shoqëror.
Videon e plotë të urimit nga Izraeli për Universitetin e Prishtinës mund ta ndiqni në vijim.