Agjencia e Kosovës për Akreditim ka riakredituar Universitetin e Prishtinës për pesë vjetët e ardhshëm.
Lajmi për riakreditimin institucional të Universitetit të Prishtinës është njoftuar zyrtarisht nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.
Sipas njoftimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Universiteti i Prishtinës ka siguruar akreditimin deri në vitin 2030.
Procesi i riakreditimit të Universitetit të Prishtinës ka nisur më herët gjatë këtij viti, ndërsa më 18 dhe 19 nëntor 2024, një grup ekspertësh ndërkombëtarë dhe zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim vizituan ambientet e universitetit.
Ekipi i ekspertëve, i përbërë nga profesorët Melita Kovacevic, Magdalena Platis, Mauro Zarrelli dhe Marija Vasilevska, së bashku me zyrtarët e Agjencisë: drejtorin e përgjithshëm Naim Gashi, drejtorin e Departamentit për Vlerësim dhe Akreditim Arianit Krasniqi dhe koordinatoren Shpresa Shala, ishin shprehur shumë të kënaqur me atë që panë dhe dëgjuan gjatë vizitave dhe takimeve në Rektorat dhe fakultetet e Universitetit të Prishtinës.
Riakreditimi institucional i Universitetit të Prishtinës është një sukses i madh për rektorin Arben Hajrullahu, prorektorët Albana Berisha-Qehaja, Avni Hajdari, Naim Jerliu, Rozafa Basha, sekretarin Besnik Loxha, përmes të cilit akreditim sigurohet që mekanizmat e cilësisë, marrëdhëniet me jashtë, dekanët, personeli mësimor dhe studentët janë të krahasueshëm me universitetet ndërkombëtare
Gjithashtu në këtë proces kontribuuan edhe ish-menaxhmenti i UP-së, në krye me prof. Qerim Qerimin.
Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës, me rektorin Arben Hajrullahu në krye, e mori detyrën më 1 tetor 2024. Sfida e parë kryesore që ata e kaluan me sukses të plotë ishte riakreditimi institucional.
Universiteti i Prishtinës është institucioni më i vjetër dhe më i suksesshëm i arsimit të lartë në Kosovë dhe renditet më lart se të gjitha universitetet e tjera në hapësirat shqiptare.