Në Sallën e Senatit në Rektorat teksa u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit mes Universitetit të Prishtinës dhe Programit ShER, Arsimit të Lartë dhe Kërkimit të Qëndrueshëm në Kosovë, dhe u vlerësua shumë lidhja shekullore Austri – Kosovë.
Memorandumin me programin austriak e nënshkruan rektori Arben Hajrullahu dhe Aqim Emurli, udhëheqës i Programit ShER.
Rektori Hajrullahu që edhe personalisht shumicën e ngritjes së tij akademike e ka bërë në institucione austriake, kujtoi ndihmën që ky shtet i ka dhënë Kosovës dhe arsimit të lartë të saj, në kohë të vështira dhe të mira.
Duke përmendur projektet e përbashkëta, rektori Hajrullahu tha se lidhja mes universiteteve austriake dhe Universitetit të Prishtinës është aq e fortë, sa që mund të konsiderohen si dy trupa të pandarë.
Më pas foli edhe Adnan Ahmeti, menaxheri i arsimit në Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), që tha se Austria është i vetmi vend i Bashkimit Evropian që është e lidhur ngushtë me arsimin e lartë në Kosovë. Këtë gjë ai e cilësoi privilegj dhe përgjegjësi.
Pastaj Aqim Emurli, udhëheqës i Programit ShER, teksa foli për ato që ofron ky program, deklaroi se ata që janë pjesë e këtij programi, nuk bëjnë aktivitete veç sa për të bërë, por përfshihen në to dhe kërkojnë rezultate. Ai e konsideroi Universitetin e Prishtinës forcë drejtuese të universiteteve në Kosovë.
Memorandumi parashikon të krijojë një kornizë për bashkëpunim ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe programit SHER për të mbështetur qëllimet akademike, kërkimore dhe strategjike të zhvillimit të Universitetit përmes aktiviteteve të përbashkëta, mbështetjes përmes ekspertëve dhe nismave për ngritjen e kapaciteteve.
Programi ShER financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim, Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndërsa zbatohet nga Shërbimi Botëror i Universitetit të Austrisë (WUS Austria), Qendra për Inovacion Social (ZSI) dhe Agjencia Austriake për Arsim dhe Ndërkombëtarizim (OeAD). Për këtë ngjarje u raportua edhe në televizionin publik të Kosovës, RTK.
Edhe dje, Universiteti i Prishtinës nënshkroi një memorandum bashkëpunimi për herë të parë në historinë e tij që nga themelimi, me një universitet të Kanadasë.