UP-ja dhe Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave diskutojnë për format e bashkëpunimit në kuadër të Procesit të Berlinit

17 Maj 2024
SHARE

Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, dhe prorektori, prof. Faton Berisha, kanë qëndruar për vizitë në Akademinë Kombëtare Gjermane të Shkencave “Leopoldona” në Halle të Gjermanisë, me ftesë të kryetarit të akademisë gjermane.

Ata janë pritur nga kryetari i akademisë, prof. Gerald Haug, dhe ekipi i tij. Në takim është diskutuar për format e bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në kontekst të Procesit të Berlinit.

Në këtë takim, po ashtu, është diskutuar për bashkëpunimin rajonal në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimeve. Një ide konkrete në këtë drejtim është krijimi i një rrjeti të Qendrave për Studime të Avancuara në Evropën Juglindore, që do të përbëhet nga qendrat për studime të avancuara të gjashtë universiteteve te kryeqendrave të rajonit.

Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave “Leopoldina” shërben si koordinatore e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor në fushën e arsimit, shkencës dhe inovacionit.

“Leopoldina” është themeluar në vitin 1652 si një shoqëri klasike studiuesish dhe aktualisht ka më tepër se 1,600 anëtarë nga të gjitha fushat e dijes. Në vitin 2008, është përcaktuar të shërbejë si Akademi Kombëtare e Shkencave e Gjermanisë. Foto : ©️Markus Scholz/Leopoldina.