Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës ka promovuar librin “Fjalori Enciklopedik i Edukimit”, të autorit prof. dr. Hajrullah Koliqi.
Vepra e profesorit Koliqi, njëherësh anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së, paraqet një kontribut të jashtëzakonshëm për shkencën e edukimit, akademikët e kësaj fushe, por edhe më gjerë, studentët dhe hulumtuesit arsimorë.
Në ngjarjen e promovimit të këtij libri pjesëmarrës ishin rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. asoc. Blerim Saqipi, recensentët e fjalorit enciklopedik, anëtarë të Këshillit Drejtues, profesorë dhe studentë.
Të pranishmit theksuan se këto dy vëllime e kanë pasuruar literaturën në gjuhën shqipe në fushën e edukimit dhe kanë mbyllur një zbrazëti të theksuar në bibliotekën e studiuesve arsimorë.
Autori i librit, profesor Hajrullah Koliqi, në fjalën e tij, falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar dhe e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij për hedhjen në dritë të këtyre dy vëllimeve.
Ndërkaq, rektori Qerimi shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij dhe të UP-së për profesorin Koliqi, për dedikimin dhe durimin e tij në krijimin e këtyre teksteve, duke theksuar se e njeh sakrificën personale të realizimit të një pune të tillë dhe e çmon jashtëzakonisht shumë dijen dhe mjeshtërinë e shpërfaqur në tekst.
Të dyja vëllimet e Fjalorit Enciklopedik të Edukimit janë të publikuara nga Universiteti i Prishtinës dhe të përkrahura nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.