Diplomatja amerikane, Barbara L. Grub, i dhuron librat e saj Universitetit të Prishtinës

15 Prill 2025
SHARE

Zyrtarja e shërbimeve të përgjithshme në Ambasadën Amerikane, Barbara L. Grub, i dhuroi sot mbi 100 librat e saj shkencorë e publicistikë në Universitetin e Prishtinës.

Grub, që doktoroi për Antropologji të mjedisit në Universitetin e Uashingtonit, librat i dorëzoi në Institutin e Antropologjisë së Universitetit të Prishtinës, pasi shumë prej tyre lidhen me këtë fushë studimi.

Në koleksionin e librave të dhuruar, të mbledhur gjatë viteve nga zonja Grub, ka edhe libra gjuhësorë, historikë e diplomatikë.

Librat e dhuruara i pranoi drejtori i Institutit të Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Arsim Canolli, bashkë me profesorin e këtij instituti, Tahir Latifi.

Zyrtares amerikane, ideja për t’ia dhuruar UP-së librat e saj, i lindi pikërisht gjatë shoqërimit të ish-ambasadorit Jeffrey M. Hovenier, kur u inaugurua Instituti i Antropologjisë më 3 tetor të vitit 2024, falë ndihmës financiare amerikane në vlerën e 16 mijë eurove nëpërmjet „University Support Grant”.

Atë ditë, rektori Arben Hajrullahu, i pati dorëzuar ambasadorit Hovenier mirënjohjen e „Ulpiana Fest-it”, në trajtë të një paraje metalike të gjetur më parë në lokalitetin antik të Ulpianës.